(VIDEO) Dita e 9-të e revoltës studentore, bojkot në disa universitete, Rama sërish kërcënon
Ka vazhduar edhe sot protesta e studentëve në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij. Ndërkaq, kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi, në fjalën e tij në protestën e nëntë kundër qeverisë tha se pedagogët kanë vendosur që ta bojkotojnë mësimin, deri në një moment të dytë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit dhe klasës politike shqiptare që të gjejnë një zgjidhje për situatën në vend.
Edhe sot, pedagogët dhe studentët kanë vepruar njësoj si ditën e djeshme me karriget e vendosura përballë Kryeministrisë. Pasi kryeministri Edi Rama i nxori sërish karriget duke ftuar për dialog këdo që dëshironte, protestuesit kanë hedhur karriget njësoj si dje.
Nga ana tjetër, Rama ka njoftuar sot se, po përgatitet një paketë e re masash, që do të përfshijë përgjegjësi financiare për familjet e të miturve që kryejnë akte vandalizmi, si dhe përdorimin e teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar.
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
“Dhe patjetër që ne do të vendosim në një regjistër të veçantë njerëzit e dhunshëm dhe patjetër që do t’ju mbyllim shumë aksese. Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit dhe natyrisht që do të bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm. Kështu që, është absolutisht shumë e rëndësishme që të kuptohet që dhuna nuk ka vend dhe nuk ka për të pasur vend në këtë vend”.
Sipas të dhënave zyrtere të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale gjatë protestave që kanë përfshirë Tiranën, përkatësisht në periudhën 13–21 tetor janë raportuar gjithsej 320 persona të dëmtuar. Ndërkohë, sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, vetëm gjatë periudhës 13–19 tetor janë regjistruar të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Teuta Buçi /SHENJA/

