Vriten 6 nxënës palestinezë nga sulmet izraelite në Gaza brenda dy ditësh
Gjashtë nxënës palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në Gaza gjatë dy ditëve të fundit ndërsa dy nxënëse u plagosën nga të shtënat e forcave izraelite në një shkollë në veri të enklavës, njoftoi sot Ministria e Arsimit, transmeton Anadolu.
Përshkallëzimi vjen gati një muaj pasi më 19 shtator rifilloi mësimi me pjesëmarrje fizike në Gaza, pas gati tre vitesh pa mësim të rregullt për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit. Në një deklaratë, ministria tha se automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr sot ndaj shkollës së vajzave Muradiya dhe zonës përreth saj në Jabalia, duke plagosur dy nxënëse, Souad Qandil dhe Amna Khaled Ali Khader.
Souad, nxënëse e klasës së gjashtë, u qëllua në kofshë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale ndërsa Amna, nxënëse e klasës së katërt, pësoi lëndime në bark, tha ministria. Ministria nuk dha hollësi të tjera për gjendjen shëndetësore të vajzave apo vendin ku u vranë gjashtë nxënësit e tjerë.
Ajo tha se incidenti ndodhi në mes të një “përshkallëzimi serioz dhe të vazhdueshëm” që synon nxënësit dhe fëmijët palestinezë. Ministria paralajmëroi se sulmet e përsëritura ndaj shkollave dhe nxënësve po minojnë themelet e mbetura të sistemit arsimor në Rripin e Gazës.
“Shkollat duhet të jenë vende të sigurta për të mësuar, jo skena frike, plagosjesh dhe vdekjesh”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se “shënjestrimi i nxënësve i privon ata nga e drejta e tyre themelore për arsimim”.
Ajo u bëri thirrje OKB-së dhe organizatave përkatëse ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut që të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur nxënësit dhe personelin arsimor, për të ndalur sulmet ndaj shkollave dhe zonave përreth tyre si dhe për të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Arsimit, në vitin e ri shkollor pritet të përfshihen rreth 541 mijë nxënës në Gaza, përmes afërsisht 700 qendrave arsimore ku mësimi zhvillohet me pjesëmarrje fizike, krahas mësimit online, pavarësisht shkatërrimit të gjerë të shkollave.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka zhvilluar luftë gjenocidale kundër Gazës, ku janë vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe janë plagosur mbi 175 mijë të tjerë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës civile në enklavë është shkatërruar.

