(VIDEO) Pagat rriten me hapa breshke, shpenzimet me shpejtësi drite
“Kalkulimi i shportës minimale që e bën Sindikata është bazë dhe një llojë kriteri social , të cilën e vendosin ata, ndërsa kjo rritet është si pasojë edhe e rritjes së inflacionit”. Kështu ka deklaruar për Televizionin Shenja, eksperti i ekonomisë Abil Baush, i cili ka komentuar shporten e re sindikaliste, e cila për një familje katër antarshe nevojiten mbi 70 mijë denarë për të tejkaluar muajin.
ABIL BAUSH, EKSPERT EKONOMIK
“Ajo se çfarë mua më brengos, është zbritja e standardit jetësor të qytetarëve. Unë nuk do ta marrë parametër rrogën minimale, por do ta marrë rrogën mesatare d.m.th me dy rroga mesatare ndoshta e mbikalon për nja 10 mijë denarë shporten minimale të sindikatës, mirëpo brendia e shportës së sindikatave është minimaliste, ajo nuk të jep kualitet jetese për qytetarët, sepse aty të garanton vetëm disa produkte të cilat janë bazë, për një jetes bazë dhe kjo nuk është një far llojë parametri të cilën nesër të jep një zhvillim ekonomik në vendin tëndë”.
Ndonëse qeveria aktuale mburret duke thënë dhe duke kalkuar me shifra konkretë se rrogën minimale e kanë rritur për disa denarë, Baush tha se parametrat ekonomikë nuk mundet të vendosen tek paga minimale, por vendosen tek ajo mesatare.
ABIL BAUSH, EKSPERT EKONOMIK
“Nëse e krahasojmë tek paga minimale dhe jetesën në RMV, nëse e shifni kufirin ndërmjet varfërisë të cilën ndodh tek ne dhe kufirin e varfërisë së skajshme, do të shifni disa parametra të cilat janë jashtëzakonisht shumë negative. Tash kemi rrogë minimale të rritur, mirëpo me rrogë minimale nuk mbyllen të gjitha nevojat të cilat janë të nevojshme tek kjo shporta konsumatore”.
Ndërkaq, krahasimi i rritjes së pagës minimale dhe shportës minimale sindikale nga viti 2020 deri më sot, tregon se shpenzimet për nevojat bazë janë rritur dukshëm më shumë se të ardhurat e punëtorëve. Kujtojmë se në vitin 2020, kur paga minimale në Maqedoninë e Veriut ishte 14.500 denarë, shporta minimale sindikale për një familje katëranëtarëshe, në muajin nëntor, arrinte në 33.742 denarë. Ndërsa sot, në tetor të vitit 2026, paga minimale është 26.046 denarë, kurse shporta minimale sindikale ka arritur në 70.358 denarë. Nëse llogaritet edhe qiraja për një banesë prej 60 metrash katrorë, shpenzimet mujore arrijnë në 85.733 denarë. Kështu, përderisa paga minimale është rritur për rreth 80 për qind, shporta minimale sindikale është shtrenjtuar për më shumë se 108 për qind.
Samir Mustafa /SHENJA/
|
Viti Paga minimale neto Shporta minimale sindikale |
|
2020 14.934 den. 33.742 den. |
|
2021 15.194 den. 34.584 den. |
|
2022 18.000 den. 51.714 den. |
|
2023 20.175 den. 56.522 den. |
|
2024 22.567 den. 62.861 den. |
|
2025 24.379 den. 65.173 den. |
|
2026 (tetor) 26.046 den. 70.358 den. |

