Ushtria gjermane paralajmëron për rrezik “të konsiderueshëm” të sabotazhit rus në bazat anembanë vendit
Forcat e armatosura të Gjermanisë kanë paralajmëruar se Rusia mund të kryejë sulme sabotazhi ndaj personelit ushtarak dhe bazave në gjithë vendin, transmeton Anadolu.
Sipas një vlerësimi të brendshëm të klasifikuar, të cituar nga transmetuesi publik WDR, shërbimet gjermane të inteligjencës presin që kërcënimi të përshkallëzohet në afat të shkurtër dhe parashikojnë operacione të mundshme sabotazhi në të ardhmen e afërt.
Vlerësimi paralajmëron se rreziku nuk kufizohet më vetëm në lokacione të caktuara, përfshirë objektet ku ushtarët ukrainas marrin trajnim.
Dokumenti i klasifikuar, për të cilin raportoi edhe gazeta “Süddeutsche Zeitung”, e vlerëson për herë të parë si “të konsiderueshëm” kërcënimin e sabotazhit rus ndaj Bundeswehrit, forcave të armatosura të Gjermanisë.
Sipas raportimeve, ky vlerësim përbën nivelin e dytë më të lartë të kërcënimit në shkallën e vlerësimit të ushtrisë.
Më parë, ekspertët ushtarakë i kishin përqendruar shqetësimet te objektet e përdorura për trajnimin e ushtarëve ukrainas, si dhe te bazat detare dhe kantieret e ndërtimit të anijeve.
Vlerësimi i fundit paralajmëron se kërcënimi nuk mund të kufizohet më në zona të caktuara gjeografike.
Paralajmërimi vjen pas disa incidenteve me dronë dhe sulmeve të dyshuara në Gjermani.
Në fillim të gushtit, një dron i pajisur me eksplozivë u përdor në një sulm të dështuar që kishte në shënjestër një avion ukrainas transporti në aeroportin e Lajpcigut.
Në mesin e shtatorit, një fermer zbuloi një dron të ngjashëm të rrëzuar pranë bazës ajrore të Bundeswehrit në Wunstorf, në veri të Gjermanisë.
Një zëdhënës i Komandës Operacionale të Bundeswehrit ka konfirmuar se ushtria po vendos masa shtesë sigurie në përgjigje të rreziqeve në rritje.
“Për shkak të rritjes së kërcënimit, Bundeswehri aktualisht e konsideron rrezikun e sabotazhit të konsiderueshëm”, ka thënë zëdhënësi.
Ai ka deklaruar se forcat e armatosura po forcojnë masat mbrojtëse në objektet e tyre.
Rusia e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacione sabotazhi apo sulme hibride.

