Moska thotë se tankeri i parë me 40.000 tonë naftë ruse do të niset për në SHBA të enjten
Zëvendëskryeministri rus, Aleksandr Novak, ka bërë të ditur se Rusia dhe SHBA-ja po finalizojnë kontratat për furnizimin me naftë dizel, ndërsa tankeri i parë pritet të niset drejt SHBA-së të enjten, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në margjinat e një takimi ndërqeveritar Rusi-Kinë në Shën Petersburg, Novak tha se tankeri do të transportojë 40.000 tonë naftë ruse dizel.
“Tankeri i parë është planifikuar të largohet nga porti nesër, më 22 tetor, drejt SHBA-së”, tha ai.
Novak tha se do të pasojnë dërgesa të tjera, duke shtuar se Rusia do ta përmbushë kërkesën amerikane brenda kapaciteteve të saj të disponueshme të furnizimit.
Ai shtoi se kontratat janë në fazën përfundimtare të nënshkrimit.
Rusia, tha ai, po i rikthen gradualisht eksportet e naftës dizel, në përputhje me kapacitetet e rafinerive, ndërsa dërgesat drejt vendeve të tjera pritet të rriten nga fundi i vitit.
“Për momentin, nuk po i rikthejmë eksportet në vëllimin e tyre të plotë, por po veprojmë brenda kapaciteteve të rafinerive tona”, tha ai.
Novak tha se Rusia mund t’i rikthejë vëllimet e plota të eksporteve të naftës dizel deri në fund të vitit, duke u mundësuar vendeve të tjera të rifillojnë marrjen e sasive me të cilat furnizoheshin më parë.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti amerikan, Donald Trump, diskutuan për furnizimet me produkte të naftës gjatë një bisede telefonike më 9 tetor. Putini tha se Moska ishte e gatshme të furnizonte SHBA-në dhe tregjet globale me naftë dhe produkte të saj.
Më herët, Novak kishte thënë se Rusia po i hiqte kufizimet për eksportin e naftës dizel më herët sesa ishte planifikuar dhe se mund të furnizonte me 300.000 tonë në tetor, 500.000 tonë në nëntor dhe një milion tonë në dhjetor, me mundësinë që në një periudhë më afatgjatë sasia të arrijë deri në tre milionë tonë në muaj.
– Zhvillimet lidhur me tubacionet e gazit
Duke iu referuar tubacioneve të gazit “Rrjedha Veriore” që lidhin Rusinë me Gjermaninë, Novak tha se furnizimet mund të rifillojnë shpejt përmes linjës së vetme funksionale të sistemit, ndërsa tri linjat e dëmtuara mund të riparohen nëse kërkesa e justifikon koston.
“Njëra nga katër linjat është funksionale. Nëse konsumatorët evropianë ose vendet dhe politikanët evropianë dëshirojnë të marrin furnizime, gazi mund të transportohet përmes kësaj linje”, tha ai.
Ai tha se rifillimi i furnizimeve varet kryesisht nga vendet evropiane, veçanërisht nga Gjermania.
Tri nga katër tubacionet e “Rrjedhës Veriore” u dëmtuan nga shpërthime nënujore më 26 shtator 2022, duke shkaktuar rrjedhje të mëdha të metanit.
Danimarka dhe Suedia arritën në përfundimin se shpërthimet ishin akte sabotimi, por i mbyllën hetimet në shkurt të vitit 2024 pa identifikuar përgjegjësit.
Novak tha gjithashtu se Rusia dhe Kina mund të arrijnë një marrëveshje tregtare deri në fund të vitit për tubacionin e propozuar të gazit “Fuqia e Bajkalit”, i njohur më parë si “Fuqia e Siberisë 2”.
“Po presim që kompanitë tona të zhvillojnë negociatat tregtare. Shpresojmë që ato të arrijnë marrëveshjet përkatëse deri në fund të vitit”, tha ai.
Ai shpjegoi se projekti u riemërtua për t’u dalluar nga tubacioni ekzistues “Fuqia e Siberisë” dhe për të pasqyruar itinerarin e planifikuar përgjatë bregut jugor të liqenit Bajkal.

