BOTA NË FOKUS | Gaza nën ujë: Një popull që nuk ka më ku të ikë!
Në Gaza, këtë dimër, shiu nuk po bie vetëm mbi çadrat e familjeve palestineze. Ai po bie mbi rrënojat e shtëpive të shkatërruara, mbi rrugët pa kanalizime, mbi spitalet e dëmtuara dhe mbi një popullsi që, pas viteve të bombardimeve dhe zhvendosjeve të detyruara, nuk ka më as strehim të sigurt për t’u mbrojtur nga moti.
Mijëra familje po i kalojnë netët mes ujit dhe baltës. Për shumë fëmijë, dimri në Gaza nuk është thjesht një stinë e ftohtë. Është një tjetër kërcënim për jetën. Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, OCHA, reshjet e filluara më 6 nëntor kanë prekur rreth 46 mijë familje, ose afërsisht 226 mijë njerëz.
Mbi 40 mijë strehimore janë dëmtuar, ndërsa më shumë se 9 mijë janë shkatërruar në atë masë sa nuk mund të riparohen. Uji i shiut është përzier me ujërat e zeza, duke rritur rrezikun e sëmundjeve dhe epidemive. Por kjo katastrofë nuk mund të shpjegohet vetëm me reshjet. Për muaj të tërë, organizatat humanitare kishin paralajmëruar se qindra mijëra palestinezë do të hynin në sezonin e dimrit pa strehim të përshtatshëm.
Mbi 150 mijë çadra të siguruara nga organizatat humanitare dhe shtetet donatore ndodheshin jashtë Gazës, në pritje të hyrjes. Kur një popull nuk ka shtëpi ku të strehohet, kur uji i shiut përzihet me kanalizimet dhe kur ndihmat jetike presin jashtë kufirit, pyetja nuk është vetëm se si do të përballohet dimri. Pyetja është se kush e krijoi këtë realitet, kush e mbështet këtë krim dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi. Avdi Bakiju /SHENJA/

