(VIDEO) Shënohet 33-vjetori i pavarësisë së Maqedonisë së Veriut
Maqedonia e Veriut sot shënon 33 vjetorin e pavarësisë së shtetit. Nën slloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do t’ia dalim!”, Qeveria ka organizuar një sërë aktivitetesh që i paraprijnë një iniciative më të gjerë për për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e pavarësisë dhe luftës së përbashkët të qytetarëve për ardhmëri më të mirë. Me rastin e kësaj dite, presidentja Gordana Siljanovska Davkova dërgoi një mesazh urimi për qytetarët, në të cilën thekson se është detyrë e jona t’i lëmë mënjanë përçarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik.
Gordana Siljanovska – Davkova, presidente e shtetit
“Është detyra jonë të lëmë mënjanë ndarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik. Vetëm me evropianizimin e shtetit, me shtetin ligjor dhe me luftën kundër korrupsionit, me institucione funksionale dhe me një ekonomi konkurruese dhe sistem meritash, do t’u mundësojmë brezave të rinj të realizojnë të drejtën për të kërkuar lumturinë në vend, në atdheun e përbashkët në të cilin do të punojnë, do të krijojnë familje dhe do të krijojnë një të ardhme”.
Kryeministri, Hristijan Mickoski në urimin e tij shkroi se, 8 Shtatori është feneri më i madh i ekzistencës së shtetit maqedonas.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Le të investojmë çdo atom të forcës sonë në ndërtimin e një të ardhmeje që çdo person e meriton. Këtë herë shteti është në lëvizje dhe ne po ia kthejmë atë popullit. Le të krijojmë një vend me qytetarë të lumtur dhe një ekonomi të fortë. Një shoqëri që do t’i përgjigjet nevojave reale dhe do të ofrojë zgjidhje reale. Të mbrojmë njerëzit tanë këtu në atdheun tonë”.
Ndërkaq, lideri opozitar Venko Filipçe tha se, ndodhemi para një momenti ku duhet të ruajmë atë që është arritur me shumë mund deri më tani.
Venko Filipçe, Lider i LSDM-së
“Në këtë kohë të sfidave të reja lidhur me rrugën e mëtutjeshme që do të marrë Maqedonia, është koha që të shfrytëzojmë forcën tonë dhe aftësinë e qytetarëve tanë për të tejkaluar çdo pengesë që qëndron në rrugën drejt një të nesërme më të mirë. Para nesh është përgjegjësia për të vazhduar ndërtimin e një shoqërie ku çdo qytetar do të ketë mundësi të barabarta dhe vendi ynë do të jetë shembull i stabilitetit, tolerancës dhe përparimit”.
Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë nga ish Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991, pas referendumit që u mbajt. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Referendumi u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.
Teuta Buçi /SHENJA/