(VIDEO) BDI: Vetë e sollën “Alta Bankën”, neve na mbajnë përgjegjës!
Nga BDI i hedhin poshtë pretendimet e VLEN-it, duke e akuzuar këtë të fundit se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Sipas BDI-së, vendimet për Alta Bankën janë nënshkruar nga qeveria aktuale, ndërsa VLEN-in e quajnë përgjegjës për hapjen e rrugës për këtë bankë.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Tani që janë kapur në flagrancë me nënshkrimet e tyre në dokumentet për shitjen e Stopanska Bankës te Alta Banka e Beogradit, funksionarët e VMRO-së nga VLEN-i po përpiqen ta zhvendosin vëmendjen me akuza dhe spinime banale. Përmendin shitjen, në vitin 2023, të disa aksioneve të Stopanska Bankës – Manastir, sikur atëherë dikush mund ta dinte se në vitin 2025, qeveria e VMRO-së dhe VLEN-it do të nënshkruante vendimin për shitjen e bankës te Alta Banka e Beogradit. Mos e fyeni inteligjencën e qytetarëve duke menduar se manipulime të tilla do t’ju kalojnë!”
BDI akuzon VLEN-in se po përpiqet t’ua bartë të tjerëve përgjegjësinë për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut, ndonëse, sipas tyre, vendimet për lejimin e saj janë marrë nga qeveria aktuale. Nga BDI pretendojnë se e kishin paralajmëruar më herët për lidhjet e dyshimta të bankës me të ashtuquajturën “Botë Serbe”, ndërsa akuzojnë qeverinë se po i hap rrugë ndikimit serb në rajon.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe funksionarët e saj nga VLEN-i vrapuan t’ia hapnin dyert bankës së Vuçiqit. Tani që po dalin në shesh dyshimet për prapavijën e kësaj pune, bëhen sikur kanë rënë nga hëna. Vetëm se kanë harruar një gjë: nënshkrimet e tyre janë në dokumente! E kemi thënë ne, e ka ngritur si shqetësim edhe Parlamenti Evropian: ndikimi i “Botës Serbe” është rrezik për rajonin. Ndërsa kjo qeveri, me Stoilkoviçin në mesin e saj dhe me afërsinë politike me Dodikun, po i hap rrugë pikërisht këtij ndikimi”.
Nga BDI thonë se funksionarët e VMRO-së nga VLEN-i mund të bërtasin sa të duan, por dielli nuk mbulohet me shoshë. Ata thonë se nuk mund të jesh në qeveri kur ndahet kulaçi dhe të bëhesh opozitë kur vjen puna për të dhënë llogari. “Alta Bankën nuk e solli era. Ia hapët derën ju! Alta Banka është kopili juaj dhe kopilin tuaj nuk mund ta lini në derë të huaj!”, thuhet në fund të reagimit të BDI-së.
Anida Murati /SHENJA/

