(VIDEO) Rreth dy mijë raste të dhunës në familje për 10 muaj, rritje për 70%
Në RMV në 10 muajt e parë të vitit 2026 janë raportuar 1 987 raste të dhunës në familje, 862 raste më shumë krahasuar me periudhën e njejtë të 2025, që në përqindje i bie 70% më shumë raste, tregojnë të dhënat e prezantuara në analizën e sotme të Ministrisë së Punëve të Brendshme në një brifing me gazetarë dhe redaktorë. Siç bënë të ditur nga MPB-ja në vend mesatarisht çdo ditë ndodhin të paktën tri vepra penale të raportuara të dhunës në familje. Të dhëna pati edhe për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 ku janë regjistruar 5.699 kryrës të dhunës në familje, prej të cilëve 91% janë burra.
MPB
“Gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar mesatarisht 90–100 fëmijë viktima të dhunës në familje. Gratë më së shpeshti sulmohen dhe pësojnë lëndime në cilësinë e bashkëshorteve, më pas si partnere në bashkëjetesë jashtëmartesore dhe si nëna. 80 % e viktimave të dhunës janë gra”.
Sa i përket rajonit, 20% e rasteve të raportuara të dhunës janë në Shkup. Nga MPB bëjnë të ditur se janë rritur edhe masat e shqiptuara të dënimeve, kryesissht janë shqiptuar 163 paraburgime.
MPB
“Me procedurë të përshpejtuar janë paraqitur 153 kallëzime penale. Janë shqiptuar 163 masa paraburgimi, që paraqet një rritje prej 270% krahasuar me vitin 2025. Janë regjistruar viktima në 214 raste të raportuara kundërvajtëse (grindje, bërtitje, keqtrajtim dhe rrahje në vende publike), ku më së shpeshti viktima kanë qenë bashkëshortet dhe nënat”.
Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski deklaroi se projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, për përgatitjen e të cilit është punuar për shtatë muaj, është harmonizuar nga grupi i punës dhe u është dorëzuar deputetëve. Siç bëri të ditur ai me këtë zgjidhje ligjore parashikohet që zyrtarët policorë në terren të kenë kompetenca për vlerësimin e nivelit të rrezikut, me qëllim ndërhyrjen më të shpejtë dhe mbrojtjen e viktimave. Gjithashtu, parashikohet edhe përdorimi i byzylykëve elektronikë të cilët do të jenë alarmuese në rast se viktima është në rrezik. Nga MPB thanë se një nga risitë është mundësia që zyrtari policor, në vendngjarje, të shqiptojë një urdhër verbal për largimin e autorit të mundshëm nga vendbanimi për 48 orë, pavarësisht nëse ai është pronar i pronës.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

