(VIDEO) Punësimet në spitalin e Kumanovës, BDI: 90 me 0, ky është diskriminim
“90% me zero”. Bashkimi Demokratik për Integrim Dega Kumanovë e akuzon pushtetin se ka bërë punësime monoetnike në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Ata kërkojnë hetim institucional për të zbardhur se si dhe mbi çfarë kriteresh janë realizuar këto 90 punësime, në një spital me 70 mijë shqiptarë që gravitojnë në këtë spital
Amir Shabani, BDI Dega Kumanovë
“Një diskriminim i përmasave të tilla nuk mbahet mend as në 50 vitet e fundit. Madje, as në ish-Jugosllavi nuk ndodhte që në një institucion të tillë të mos gjendej qoftë edhe një shqiptar, ndoshta si pastrues apo rojtar, ndërsa sot kemi një shifër tronditëse: 90 punësime dhe asnjë shqiptar! Andaj, sot jemi mbledhur këtu për ta alarmuar opinionin e gjerë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit shqiptarë pa legjitimitet, të cilët po heshtin përballë këtij procesi të shpopullimit institucional të shqiptarëve”.
Këtë shqetësim e ka ngritur edhe Lidhja Shqiptare. Deputeti Elmi Aziri nga kjo parti thotë se kjo është një dëshmi shqetësuese e mungesës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në një institucion publik.
ELMI AZIRI, LIDHJA SHQIPTARE
“Prandaj, shtrohen disa pyetje legjitime:
Si është e mundur që nga 80 punësime të mos ketë asnjë shqiptar?
Cilat kanë qenë kriteret dhe procedurat e punësimit?
A është respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat?
Kush mban përgjegjësi për këtë gjendje?”.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami një ditë më parë ka thënë se kjo çështje po përdoret nga BDI-ja për debate politike, ndërsa theksoi se në kuadër të marrëveshjes parashihet punësimi i 15 shqiptarëve.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

