(VIDEO) Qeveria: Lirohen çmimet e produkteve të qumështit dhe pastave

Pas ngrirjes së çmimit të bukës, vjen edhe një lajm i mirë për qytetarët. Kryeministri , Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njoftuan se Qeveria ka marrë vendim për ngrirje të çmimeve edhe për produktet e qumështit dhe të pastave. Siç njofton Kovaçevski, produktet e qumështit do të lirohen për 10 për qind, ndërsa makaronat për 15 për qind.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINSITËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Çmimi i shitjes së makaronave dhe shpagetave zvogëlohet për 15 për qind ose mesatarisht për tetë deri në nëntë denarë. Tarifat doganore për importin e këtyre produkteve gjithashtu hiqen nga data 13 mars deri më 31 maj 2023. Ngrijnë edhe çmimet e produkteve të qumështit: qumështi i përhershëm i lopës me yndyrë 2.8, 3.2 dhe 3.5 për qind, gjiza, djathi i bardhë i lopës dhe i përzier, djathi i lopës, kaçkavalli, kosi dhe jogurti. Çmimet janë ulur për dhjetë për qind, dhe vendimi është i vlefshëm nga 17 mars – 31 maj 2023”.
Kovaçevski tha se Qeveria do të vazhdojë të marrë vendime që mbrojnë interesat dhe standardet e qytetarëve.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e ngrirjes së çmimeve edhe për produkte të tjera.
Bekteshi tha se analizat e Sektorit për tregti dhe të odave ekonomike kanë treguar se shumica e kompanive e shfrytëzojnë marzhin maksimal dhe në njëfarë mënyre janë të bashkuar që të mos i ulin fitimet e tyre.
KRESHNIK BEKTESHI-MINISTËR I EKONOMISË
“Në pajtim me të gjitha analizat e Sektorit për tregti dhe odat, konfirmohet se shumica e kompanive e shfrytëzojnë marzhin maksimal dhe në njëfarë mënyrë janë të bashkuar që të mos i ulin fitimet e tyre. Për këtë shkak kemi vendosur që të shkojmë me ngrirjen e çmimeve. Mbeten edhe sheqeri, vezët dhe orizi, për të cilat javën e ardhshme do të bëhen analiza dhe çmimet e të cilave me siguri do të ngrihen nëse prodhuesit nuk i ulin”
Ky është vendimi i dytë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi më 28 shkurt të këtij viti hyri në fuqi kufizimi i çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.
Samir Mustafa /SHENJA/