(VIDEO) Nis fushata për Bërvenicën, kandidatët premtojnë të ardhme më të mirë
Partitë politike nisën zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale në Bërvenicë, ku dhe promovuan kandidatët e tyre.
Partia shqiptare në pushtet VLEN promovoi kandidatin Jakup Huseini për kryetar të komunës së Bërvenicës. Në videon promovuese të tij, Huseini thotë se duke punuar prej 6 vitesh si nëpunës në komunën e Bërvenicës i njeh mirë problemet dhe nevojat e qytetarëve të kësaj komune. Ai premtoi se komunën do u’a kthej qytetarëve.
Jakup Huseini, kandidat i VLEN-it për kryetar të komunës së Bërvenicës
“Gjithë jetën time kam kontribuar për këtë vend, për këto lagje dhe për këto fshatra. E di se me punë dhe përkushtim komunën tonë mund ta bëjmë një vend më të mirë dhe më të zhvilluar…Prandaj kam vendosur që ta pranoj këtë sfidë, të garoj për kryetar të komunës së Bërvenicës”.
Edhe Aleanca Kombëtare për Integrim, në mesin e shumë qytetarëve, të kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit, kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravarit dhe të kryetarir të Lëvizjes Populli Skender Rexhepi Zejdi promovuan kandidatin e tyre Arkin Jahiji. Ata premtuan ujësjellës, kanalizime, shkolla modern dhe të ardhme më të mirë për rininë e kësaj komune.
Arkin Jahiji, kandidat i AKI-së për kryetar të komunës së Bërvenicës
“Ju ftoj të ecim bashkë në këtë rrugëtim, për familjet tona, për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë, për çdo fshat të Bërvenicës, për të ardhmen e vendit. Bashkë për Bërvenicën, bashkë për të ardhmen tonë. Falemidnerit për besimin, faleminderit për mbështetjen dhe mbi të gjitha faleminderit që jemi bashkë në këtë rrugëtim”.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së për Bërvenicën Stojanço Radiçevski me rastin e nisjes zyrtare të fushatës për këtë komunë, u bëri thirrje kandidatëve që të respektojnë Kodin Etik sepse siç tha është e rëndësishme që procesi zgjedhor të zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë, demokracisë dhe bashkimit.
Stojanço Radiçevski, kandidat i VMRO-së për kryetar të komunës së Bërvenicës
“Sot zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Ju bëjë thirrje të gjithë kandidatëve që ta respektojnë Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Sjelljes. Besoj në demokracinë, besoj në atë që secili person të vendos se kujt dëshiron të ja besoj votën. Bërvenica është një komunë multietnike ku jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera”.
Kandidati për kryetar komune i LSDM-së, Jovica Radeski, para qytetarëve të komunës së Bërvenicës prezantoi programin e tij zhvillimor për komunën dhe kërkoi mbështetjen e tyre, duke theksuar se Brvenicës duhet të jetë një komunë moderne, e zhvilluar dhe e hapur për të gjithë.
Jovica Radeski, kandidat i LSDM-së për kryetar të komunës së Bërvenicës
“Unë nuk e njoh Bërvenicën vetëm nga zyra, e njoh nga terreni, jam çdo ditë me qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë, i dëgjoj problemet e tyre, sfidat e tyre me të cilat përballen në punën e jetën e tyre të përditshme, i dëgjoj hallet e tyre. Por, unë nuk jam në terren prej dje. Unë jam 20 vite në mesin e këtyre njerëzve”.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor 2026. Ky proces zgjedhor i jashtëzakonshëm vjen pas ndarjes nga jeta të kryetarit të mëparshëm të komunës, Ivica Ilievski, në qershor të vitit 2026.
Emine Ismaili /SHENJA/

