(VIDEO) Oda Ekonomike kërkon status të veçantë për transportuesit

(VIDEO) Oda Ekonomike kërkon status të veçantë për transportuesit

Oda Ekonomike propozon që, problemi i tranportuesve të zgjidhet përmes statusit të veçantë për shoferët profesionist dhe përjashtimit të tyre nga kufizimet e Shengenit që vlejnë për turistët. Koordinatori për bashkëpunim ndërkombëtar në Odën Ekonomike, Daniel Matrakoski tha sot se, shoferët përballen me një pengesë administrative të paqëndrueshme. Ai tha se, kjo nuk është çështje migracioni, por çështje e mbijetesës së zinxhirëve evropianë të furnizimit, pasi 77,5 për qind e eksporteve shkojnë drejtpërdrejt në BE.

MARKETING

Shik.mk

Daniel Matrakoski, Oda Ekonomike

“Nuk është logjike që shoferët që i shërbejnë industrisë evropiane të trajtohen me të njëjtat kufizime 90-ditore të Shengenit si turistët. Përmes Forumit të Investimeve të Dhomave të Tregtisë (KIF) dhe takimeve të punës me Komisionin Evropian, në takimin e platformës së biznesit të KIF-it do të kemi një përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian. Aty kërkojmë status të veçantë, që nënkupton përjashtimin e shoferëve profesionistë si punëtorë ekonomikë mobilë me interes jetik”.

Ai ka sqaruar se, kjo do të ishte paralele me përdorimin e mekanizmave dypalësh, përkatësisht vizave afatgjata të tipit D me vendet anëtare. Matrakoski më tej ka paralajmëruar se, pengesat për transportuesit do të jenë temë edhe në takimin e ardhshëm të ministrave të ekonomisë së rajonit, i cili do të mbahet të mërkurën në Mal të Zi.

Daniel Matrakoski, Oda Ekonomike

“Në fokus janë kërkesat që komuniteti i biznesit i mbron vazhdimisht: heqja e pengesave administrative në tregti, tejkalimi i bllokimeve në qarkullimin e mallrave përmes zgjerimit të korridoreve të gjelbra, harmonizimi i plotë dhe njohja reciproke e dokumentacionit tregtar dhe fitosanitar, si dhe afrimi gradual dhe i përshpejtuar i kompanive tona me tregun e vetëm evropian përmes instrumenteve të Planit të Rritjes”.

Kujtojmë se, me hyrjen në fuqi të sistemit të ri të Hyrjes dhe Daljes nga Bashkimi Evropian, shoferët profesionistë të kamionëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që nga fundi i vitit të kaluar janë përballur me probleme, pasi sipas këtij sistemi, transportuesit regjistrohen si turistë dhe mund të qëndrojnë në vendet e BE-së më së shumti 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING