Presidentja e KE-së nis turin Ballkanik, të premten vjen në Shkup
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Shkupin më 2 tetor. Vizita në Shkup është në kuadër të turit në Ballkanin Perëndimor, ku para Maqedonisë së Veriut, ajo do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi .
Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Von der Leyen do ta nisë vizitën të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ajo pritet të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të zhvillojë takime të ndara me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Po atë ditë, ajo do të qëndrojë edhe në Podgoricë, ku pritet të takohet me presidentin Jakov Millantoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë këtij turneu nuk do ta vizitojë Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën.
Sipas Komisionit Evropian, në qendër të diskutimeve gjatë këtij udhëtimi do të jenë hapat e ardhshëm në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përparimi i integrimit gradual të rajonit. Një tjetër element i rëndësishëm i vizitës do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit Bashkimi Evropian synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun dhe strukturat e BE-së. Vizita shënon turin e gjashtë që Ursula von der Leyen viziton Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave, presidentja Von der Leyen pritet të shohë nga afër edhe projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.
/SHENJA/

