(VIDEO) Festa e 23 tetorit, fluks i shtuar i qytetarëve në pikat kufitare
Lidhja Automoto e Maqedonisë (LAM) ka njoftuar se, udhëtarët në pikën kufitare Tabanoc këtë mëngjes kanë pritur më shumë se një orë për të dalë nga shteti. Sipas tyre fluks i shtuar i automjeteve është regjistruar edhe në pikat kufitare Bllacë dhe Deve Bair, ku pritjet kanë zgjatur nga 20 deri në 30 minuta. Ndërkohë, nga Lidhja Automoto thonë se punimet e intensifikuara dhe regjimet e përkohshme të trafikut në autostrada dhe rrugët rajonale në vend po e ngadalësojnë qarkullimin dhe kërkojnë planifikim të kujdesshëm të çdo udhëtimi ndërqytetës.
LIDHJA AUTOMOTO E MAQEDONISË SË VERIUT
“Qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve jashtë qendrave urbane është rritur ndjeshëm, duke krijuar ngarkesë në pikat kufitare. Në pikën kufitare Bllacë, në drejtim të Kosovës, pritjet zgjasin rreth 30 minuta, ndërsa në Deve Bair, në drejtim të Bullgarisë, udhëtarët presin afërsisht 20 minuta për të dalë nga shteti. Në pikat e tjera kufitare, deri më tani nuk janë regjistruar pritje më të gjata për hyrje ose dalje”.
Lidhja Automoto ka bërë apel udhëtarëve për kujdes të shtuar nëpër gryka dhe lugina. Sic njoftuan ata Segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Koçan – Dellçevë dhe Vinicë – Berovë janë vazhdimisht të rrezikuara nga shembjet e shkëmbinjve dhe rrëshqitjet e dheut në rrugë. Ndërkaq, në autostradën A1 drejt Greqisë, në segmentin nga Gjevgjelia deri në Bogorodicë, njëra anë e rrugës është plotësisht e mbyllur, ndërsa automjetet qarkullojnë në të dy drejtimet në korsinë e kundërt. Punime dhe devijime ka gjtihashtu edhe në rrugët Kërçovë–Ohër, Gostivar–Kërçovë, në hyrje të Shkupit drejt Bllacës dhe te diga Glloboqicë.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

