(VIDEO) Protestat në Shqipëri, Memeti dhe Veizaj përplasen për studentët

(VIDEO) Protestat në Shqipëri, Memeti dhe Veizaj përplasen për studentët

Profesoresha universitare nga Shqipëria, Senada Memeti, ka folur për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke i lidhur ato me ngjarjet e fundit në Zvërnec. Mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja”, e pyetur nga gazetari se nga kush po rrezikohej toka shqiptare, Memeti iu referua konfliktit në Zvërnec për ndërtimin e një resorti. Sipas saj, përplasja lidhet me grabitjen e pronës dhe kundërshtimin e ndërtimit të resortit, në një kohë kur jugu i Shqipërisë është mbushur me resorte dhe betonizim pa kriter. Ajo theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur.

MARKETING

Shik.mk

Senada Memeti, Profesoreshë Universitare nga Shqipëria

“Pamjet që transmetuat ishin shumë të trishta, i kam ndjerë. Unë kam marrë pjesë që në ditën e parë kur ka nisur protesta e Flamingove. Jam e vetëdijshme se mozaiku i asaj proteste është i larmishëm. Shkëndijën, këto ngjarje të fundit e kishin nga ngjarja e Zvërnecit, për të mbrojtur tokën shqiptare, meqenëse Shqipëria po shitej, po copëtohej”.

Ndërkaq Dasho Veizaj, kryetari i Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë, nga po e njëjta studio ka komentuar situatën në Tiranë dhe protestat e studentëve, duke theksuar se shqetësimet e të rinjve duhet të dëgjohen dhe se institucionet janë të gatshme të komunikojnë me ta, por se ata nuk flasin kur thirren për të parashtruar kërkesat.

Dasho Veizaj, kryetari i Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë

“Është e tmerrshme ta shohësh Tiranën të digjet në atë formë. Shqetësimet e studentëve, pa dyshim, duhen dëgjuar. Ne jemi bashkë me të rinjtë dhe i dëgjojmë problematikat e tyre. Ne i kemi thirrur studentët, përfaqësuesit, në takime. Studentët na vijnë në tryezë, na shikojnë e nuk thonë asgjë”.

Ndërkaq edhe aktivisti Hamza Nuhiu, deklaron se protestat e studentëve nuk duhet të shihen si kundërshtim ndaj pushtetit, por si një kërkesë për kushte më të mira dhe perspektivë për të ardhmen në Shqipëri. Ai theksoi se shqetësimet e studentëve lidhen me kushtet e studimit, mundësitë për punësim, inflacionin dhe infrastrukturën, duke shtuar se këto janë kërkesa themelore dhe jo pretendime të tepruara.

Hamza Nuhiu, aktivist

“Studentët nuk janë kundërshtarë të pushtetit. Studentët janë e ardhmja e shtetit dhe po protestojnë për të ardhmen. E ardhmja janë kushtet, mundësitë për punësim, inflacioni i tepërt që ndodh në Shqipëri kohë pas kohe. E kam përjetuar edhe vetë dhe e di. Edhe kushtet infrastrukturore janë gjëra themelore. Nuk kërkojmë botën e çudirave”.

Ndërkaq, debatit nuk i munguan as përplasjet mes profesoreshës Senada Memeti dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë, Dasho Veizaj. Memeti kërkoi dorëheqjen e këtij të fundit, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin e studentëve, ndërsa Veizaj këmbënguli se është zgjedhur në mënyrë përfaqësuese dhe se do ta çojë mandatin deri në fund.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING