(VIDEO) Fëmijët e prekur me fruth: Momentalisht situata është stabile

(VIDEO) Fëmijët e prekur me fruth: Momentalisht situata është stabile

Gjendja me fruthin tek fëmijët momentalisht është nën kontroll, por apeloj prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit sepse në rast se preken pasojat mund të jenë të mëdha, ka deklaruar sot ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski. Ai tha se Ministria ka dhënë udhëzime për përgatitjen e një spitali klinik, i cili në rast të shpërthimit të epidemisë do të hospitalizojë foshnje ndër 12 muaj të cilët akoma nuk mund ta pranojnë vaskinën.

MARKETING

Shik.mk

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Është më mirë që qytetarët të mos shkojnë drejtpërdrejt te mjeku, por fillimisht të kontaktojnë mjekun përmes telefonit, sepse qëndrimi në dhomat e pritjes paraqet rrezikun më të madh për përhapjen e fruthit. Përveç thirrjeve për rritjen e vetëdijes së prindërve dhe komunikimit me mjekët amë dhe pediatrit, nuk do të ndërmarrim masa të detyrueshme. Në të kaluarën është dëshmuar se masat shtrënguese, në raste të caktuara, kanë qenë kundërproduktive. Ne do të vazhdojmë të flasim dhe të komunikojmë me prindërit. Edhe një herë u bëj apel prindërve se, duke mos i vaksinuar fëmijët, para së gjithash rrezikojnë fëmijët e tyre, e më pas edhe fëmijët e tjerë që nuk mund të vaksinohen deri në moshën 12 muajshe”.

Ndërkaq duke folur për vaksinimin kundër gripit sezonal Klekovski tha se deri më tani mbi 70.000 qytetarë janë paraqitur për vaksinim ndërsa prej tyre 10.209 persona janë vaksinuar.

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Deri më tani kemi mbi 70 mijë persona që janë regjistruar për vaksinim, ndërsa janë vaksinuar pak më shumë se 10.209 persona. Dërgimi i mesazheve po zhvillohet sipas ritmit të përcaktuar, nga 200 deri në 1.000 persona, aq sa mund të realizohet aktualisht gjatë ditëve të punës. Grupi i ri i vaksinave do të arrijë më 13 nëntor. Kështu që ne do të japim sinjalin që të rritet mbulueshmëria me vaksinim, sepse në thelb ka mjaftueshëm vaksina që vaksinimi të realizohet gjatë këtij muaji. Deri në fund të muajit duhet të arrijë edhe sasia e fundit prej 30 mijë vaksinash”.

Sa i përket fruthit momentalisht në vend 5 persona janë të prekur nga njejti. Rasti i fundit është konfirmuar ditën e djeshme dhe bëhet fjalë për një foshnje 1 vjeç e gjysmë. Gjithsej 3 foshnja, një burrë 45 vjeçar dhe një shtetas i Kosovës janë të prekur nga fruthi.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING