Reformat e ndihmës për strehim në Gjermani mund të godasin dyfish familjet me të ardhura të ulëta

Reformat e ndihmës për strehim në Gjermani mund të godasin dyfish familjet me të ardhura të ulëta

Reformat e planifikuara të Gjermanisë për ndihmën e strehimit mund të godasin dyfish familjet me të ardhura të ulëta, duke bërë që disa prej tyre të mbeten pa subvencione për qiranë dhe pa qasje në bankat ushqimore dhe dyqanet sociale me çmime të reduktuara, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Sipas transmetuesit publik ARD, Ministria e Strehimit vlerëson se një e treta e familjeve që aktualisht përfitojnë ndihmë për strehim do ta humbasin të drejtën për këtë përfitim sipas ndryshimeve të propozuara.

Për disa përfitues, humbja e subvencionit mund të nënkuptojë gjithashtu humbjen e dokumentit që dëshmon nevojën e tyre financiare, i cili kërkohet për të përfituar nga produktet me çmime të reduktuara dhe ndihma ushqimore, duke ua rritur më tej shpenzimet e jetesës.

Operatorët e dyqanit social “Waller helfen” në Montabaur, i cili ka 2.500 klientë të regjistruar, shprehin shqetësimin se nga viti i ardhshëm mund të mos jenë më në gjendje t’u shërbejnë shumë prej tyre.

“Inflacioni po prek shumë njerëz”, tha Rene Schneider, i cili punon në këtë dyqan. Ai theksoi se prindërit e vetëm dhe pensionistët, të ardhurat e të cilëve janë tepër të larta për t’u kualifikuar për ndihmë shtesë, por tepër të ulëta për të përballuar qiranë, do të preken veçanërisht rëndë.

Qeveria planifikon të pezullojë rritjen e ndihmës për strehim, e parashikuar për 1 janar të vitit 2027, të përgjysmojë komponentin e mbulimit të shpenzimeve të ngrohjes dhe të rishikojë formulën e përcaktimit të përfituesve, me synimin për të ulur numrin e tyre.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në fund të vitit 2025 rreth 1.3 milion familje përfitonin ndihmë për strehim, me një shumë mesatare mujore prej 291 eurosh. Ndryshimet pritet t’i kursejnë buxhetit të shtetit afro 1.2 miliardë euro në vitin 2027 dhe pothuajse 1.5 miliardë euro në vit në vijim.

Schneider paralajmëroi se heqja e mbështetjes për strehim mund t’i dekurajojë përfituesit e ndihmave sociale që të punojnë me orar të pjesshëm, nëse të ardhurat nga puna do t’i linin pa mundësi për të përballuar qiranë, duke zgjatur potencialisht varësinë e tyre nga përfitimet sociale.

MARKETING