VLEN: Rritja e pagave vazhdon, 10 për qind për Armatën
VLEN ka njoftuar se nga 1 janari i vitit 2027 është paraparë rritje prej 10 për qind e pagave dhe shtesave për pjesëtarët e Armatës dhe punonjësit e tjerë.
Në njoftimin e publikuar, VLEN thekson se gjatë mandatit të tij janë realizuar rritje të pagave edhe në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe policisë.
Sipas partisë, punonjësit e arsimit kanë përfituar tri rritje të pagave: 5 për qind në tetor të vitit 2024, 7 për qind në mars të vitit 2025 dhe 7,5 për qind në mars të vitit 2026. Këto rritje, sipas VLEN-it, arrijnë në mbi 20 për qind.
Ndërkaq, në sektorin e shëndetësisë, pas rritjes prej 10 për qind në nëntor të vitit 2024, pagat janë rritur edhe për 5 për qind në mars të vitit 2025 dhe 6 për qind në mars të vitit 2026.
VLEN njofton gjithashtu se rreth 12 mijë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë përfituar rritje pagash. Pas rritjes prej 10 për qind në mars të vitit 2025, nga marsi i këtij viti ata marrin edhe afër 1.700 denarë më shumë në muaj.
Në njoftim përmendet edhe rritja e pagës minimale, ndërsa paga mesatare, sipas VLEN-it, ka arritur në rreth 800 euro, me synimin që të arrijë në 1.000 euro.
Partia thekson se po punon edhe për zgjidhjen e statusit të punonjësve që prej vitesh janë të angazhuar me kontrata, përmes një propozim-ligji që synon t’u mundësojë atyre punësim të përhershëm.
VLEN thotë se angazhimi i saj është i përqendruar në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, rritjen e të ardhurave dhe krijimin e më shumë sigurisë ekonomike.
“VLEN-i n’punë!”, përfundon njoftimi i partisë.

