Presidenti sirian zhvillon vizitën e gjashtë në Arabinë Saudite që nga marrja e detyrës
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa mbërriti në kryeqytetin saudit, Riad, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë për një vizitë në mbretëri, e gjashta që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2025, raportoi agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA, transmeton Anadolu.
Delegacioni përfshin ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Emigrantëve, të Mbrojtjes, të Financave dhe të Industrisë si dhe kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Inteligjencës, thuhet në raportim.
Sipas SANA-s, gjatë vizitës Al-Sharaa pritet të takohet me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, për të diskutuar disa çështje dypalëshe dhe për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh në sektorë të ndryshëm.
Al-Sharaa vizitoi për herë të fundit Riadin më 6 tetor, më pak se një muaj më parë, kur u takua me princin e kurorës për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Gjatë asaj vizite, Drejtoria e Medias e Presidencës siriane bëri të ditur se në bisedime u shqyrtuan planet strategjike dhe fazat e ardhshme që lidhen me rindërtimin e Sirisë, përfshirë rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar dhe objekteve jetike. Al-Sharaa i bëri princit të kurorës një ftesë zyrtare për të vizituar Sirinë.
Në prag të vizitës së fundit, ministri sirian i Industrisë dhe Tregtisë së Brendshme dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Basel Abdul Hannan u takua me ambasadorin saudit në Damask, Ghazi bin Rafea al-Anzi, për të diskutuar mbi një projektmemorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin industrial.
Memorandumi i propozuar përfshin zhvillimin e qyteteve dhe zonave industriale, përmirësimin e efikasitetit të prodhimit dhe cilësisë së produkteve, shkëmbimin e ekspertizës në financimin industrial dhe mbështetjen e projekteve, thuhet më tej në raportim.

