(VIDEO) Faturat e larta të energjisë, rregullatori thotë se qytetarët të ankohen së pari në EVN, pastaj te ata

(VIDEO) Faturat e larta të energjisë, rregullatori thotë se qytetarët të ankohen së pari në EVN, pastaj te ata

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka zhvilluar  takim me furnizuesin universal EVN javën e kaluar në mënyrë që konsumatorët të marrin një përgjigje në kohë për ankesat e tyre për faturat e larta, deklaruan nga Komisioni për TV SHENJA. Ata thonë se për pakënaqësitë e tyre, konsumatorët së pari duhet të ankohen tek EVN e më pas tek KRRE-ja.

KOMISIONI RREGULLATOR I ENERGJETIKËS

“Sa i përket procedurës kur konsumatori është i pakënaqur me furnizuesin  si për shumë e faturës apo cilësinë e shërbimit , në përputhje me rregullat për trajtimin e ankesave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, konsumatorët fillimisht duhet të kontaktojnë EVN Home, e më pas nëse nuk janë të kënaqur me përgjigjen nga furnizuesi universal duhet të paraqesin ankesë tek Komisioni Rregullator, në të cilën do ta bashkangjisin edhe përgjigjen nga EVN HOME dhe do të dorëzojnë një kopje të faturës për të cilën ankohen, pas së cilës rregullatori do të hapë procedurën përkatëse”.

Ndërkohë, dje nga EVN për TV SHENJA deklaruan se nuk ka rritje të ndjeshme të numrit të kërkesave për korrigjime të faturave të energjisë elektrike krahasuar me muajt e kaluar dhe se për shkak të temperaturave të ulëta ka edhe rritje të konsumit të shfrytëzuesëve.

Qytetarët e intervistuar ditën e djeshme të revoltuar thanë se muajve të fundit janë ballafaquar me fatura dyfish më të larta në krahasim me të kaluarën dhe këto shuma sipas tyre janë të papërballueshme për buxhetin e tyre familjar. As EVN e as KRRE, siç thanë qytetarët, nuk po u ofrojnë zgjidhje të këtij problemi.

Kundër vendimeve të KRRE-së, pala e pakënaqur mund të fillojë procedurë gjyqësore.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING