(VIDEO) Delegacioni i BE-së: Çdo anëtare e BE-së do të vendos vetë nëse i pranon pasaportat me emrin e vjetër të shtetit

(VIDEO) Delegacioni i BE-së: Çdo anëtare e BE-së do të vendos vetë nëse i pranon pasaportat me emrin e vjetër të shtetit

Përderisa vazhdon “debati” për mundësinë e përdorimit të pasaportave të RMV-së që janë të vlefshme, por me emrin e vjetër, si dhe nëse ato mund të përdoren për të udhëtuar nëpër vendet e BE-së, nga Delegacioni i BE-së në Shkup thonë  për MIA se njohja e dokumenteve të udhëtimit nga vendet e treta është përgjegjësi në vete e çdo shteti anëtar të Bashkimit Evropian. Në pyetjen e qëndrimit të BE-së në lidhje me ndryshimet ligjore të propozuara për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit deri në fund të këtij viti, të cilat ishin në rend dite në seancën e 145-të parlamentare dhe nëse ndryshime të tilla do të jenë të pranueshme për BE-në, nga Delegacioni janë  përgjigjur se ajo që është e rëndësishme për vendin është respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, por se njohja e dokumenteve të udhëtimit është çështje e secilit shtet individualisht.

DELEGACIONI I BE-SË NË SHKUP

“Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe obligimet që kanë të bëjnë me ndryshimin e pasaportave, që ka të bëjë me Marrëveshjen e Prespës. Kujtojmë se pranimi i dokumenteve të udhëtimit nga vendet e treta është në kompetencë të çdo vendi anëtare të BE-së”.

Ambasadori francez Siril Bomgartner  theksoi se Marrëveshja e Prespës krijon detyrime në sferën e së drejtës ndërkombëtare, por shtoi se e drejta për lirinë e lëvizjes është një tjetër e drejtë, e cila gjithashtu duhet respektuar.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka marrë njoftim zyrtar vetëm nga Zvicra se lejohet lëvizja me pasaportë të vlefshme me emrin e vjetër kushtetues. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë problem për të hyrë në Kroaci dhe Austri për momentin.Ambasadorja  kroate Nives Tiganj, në një takim me Ministrin Teknik të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, tha të hënën se Kroacia e kupton problemin dhe se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë lëvizje të papenguar në territorin kroat . Ndërkaq, Bosnja dhe Hercegovina  ka dërguar një letër zyrtare se nuk e njohin pasaportën pa emrin e ri, por në Bosnje mund të shkohet me letërnjoftime me emrin e vjetër. Po ashtu me letërnjoftime me emrin e vjetër mund të udhëtohet edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING