(VIDEO) “28 nëntori” me protesta dhe përplasje në Tiranë
Flakadanë, flamuj kuqezi dhe këngë patriotike kanë shoqëruar protestën kombëtare të 28 Nëntorit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe disapra janë mbledhur në kryeqytet, duke ndërthurur simbolikën kombëtare me mesazhet e protestës kundër qeverisë. Grumbullimi i qytetarëve nisi që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në shesh u panë flamuj kuqezi dhe pjesëmarrës të veshur me kostume tradicionale shqiptare. Atmosfera patriotike u shoqërua me thirrje dhe mesazhe kundër qeverisë, ndërsa përdorimi i flakadanëve dhe këngët patriotike i dhanë një tjetër dimension tubimit.
Nga sheshi “Skënderbej” protestuesit marshuan në drejtim të Kryeministrisë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me flamuj kuqezi, ndërsa protestuesit marshojnë duke mbajtur në duar flamuj shqiptarë, pankarta dhe banderola me mesazhe të ndryshme.
Rreth 2 mijë efektivë policie janë vendosur në terren përgjatë itinerarit të marshimit dhe pranë institucioneve kryesore. Situata është tensionuar para Kryeministrisë, ku policia nuk ka lejuar grumbullimin e protestuesve në këtë zonë. Efektivët kanë ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion përmes autobotëve.
Nga ana tjetër, protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur molotovë.
Ministria e Shëndetësisë informoi se në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 8 persona, mes tyre pesë protestues, dy përfaqësues të medias, njëra prej të cilave shtetase e huaj, si dhe një efektiv policie. Ndërkohë, tre protestues të tjerë janë trajtuar nga ekipet e urgjencës në vendngjarje.
Protesta e sotme është thirrur nga studentë, të rinj dhe qytetarë, të cilët prej muajsh vijojnë të organizojnë tubime kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Mesazhet që kanë shoqëruar protestën janë “Shqipëria nuk shitet”, “Kërkojmë nëntorin e tretë” dhe “Shqipërinë nuk e falim”. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në platformën e tyre përfshihen gjithashtu reforma zgjedhore, lufta kundër korrupsionit dhe ndryshime institucionale. Tubimi i 28 Nëntorit vjen pas gati gjashtë muajsh protestash të njëpasnjëshme në kryeqytet. /SHENJA/

