Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregullat e reja për pushimin mjekësor, ja çfarë ndryshon

Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregullat e reja për pushimin mjekësor, ja çfarë ndryshon

Nga 1 dhjetori do të fillojnë të zbatohen rregullat e reja për miratimin, kohëzgjatjen dhe përfundimin e pushimit mjekësor, të cilat përcaktojnë kompetencat e mjekëve amë, procedurat për vazhdimin e pushimit dhe rastet kur kërkohet miratimi i komisionit mjekësor.

Sipas Rregullores së re, mjeku amë do të ketë të drejtë të miratojë pushim mjekësor deri në pesë ditë. Për mungesë më të gjatë, do të kërkohen ekzaminime përkatëse diagnostikuese dhe raport nga mjeku specialist, i cili do të japë rekomandim për kohëzgjatjen e pushimit.

Ndërkaq, për pushim mjekësor që zgjat më shumë se 15 ditë, do të jetë i nevojshëm miratimi i komisionit mjekësor pranë Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Rregullat e reja përcaktojnë edhe afatet për hapjen dhe mbylljen e pushimit mjekësor. Ai do të hapet në ditën e kontrollit mjekësor ose ditën pasuese. Në raste të arsyetuara, do të lejohet hapja retroaktive, por jo më shumë se një ditë më herët.

Pushimi mjekësor do të përfundojë në ditën e fundit të periudhës së miratuar ose, më së voni, një ditë pas saj.

Një tjetër risi ka të bëjë me hapjen e një pushimi të ri mjekësor për të njëjtën diagnozë. Nëse kjo kërkohet brenda një periudhe më të shkurtër se 30 ditë, do të nevojitet miratimi paraprak i komisionit mjekësor.

Sa i përket pacientëve që kanë përfunduar trajtimin spitalor, vazhdimi retroaktiv i pushimit mjekësor do të mund të miratohet për një periudhë deri në pesë ditë kalendarike, me kusht që të merret miratimi i komisionit.

Ndryshime parashihen edhe në dokumentacionin që u lëshohet pacientëve. Gjatë hapjes së pushimit mjekësor do të jepet një vërtetim, ndërsa formulari ISR do të lëshohet pas përfundimit të pushimit.

Rregullat e reja synojnë të përcaktojnë më qartë procedurat dhe kompetencat për miratimin dhe administrimin e pushimeve mjekësore.

MARKETING