UKMTO: Persona të armatosur marrin kontrollin e një anijeje transporti në brigjet e Jemenit
Persona të armatosur kanë hipur në një anije transporti dhe kanë marrë kontrollin e saj 64 milje detare në jugperëndim të qytetit jemenas Balhaf, njoftoi të shtunën Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), transmeton Anadolu.
“Kapiteni i një anijeje transporti raporton se persona të armatosur dhe të paautorizuar kanë hipur në bord në pozicionin 12°55N 048°04E”, në orën 6:30 GMT”, njoftoi UKMTO-ja në një deklaratë në platformën sociale amerikane X.
“Personat e paautorizuar kanë marrë kontrollin e anijes. Autoritetet janë njoftuar”, thuhet në deklaratë.
Qendra u bëri gjithashtu thirrje anijeve që kalojnë nëpër atë zonë të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, ndërsa autoritetet po hetojnë incidentin.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me incidentin.

