Thyhet dhe “ironman” Rydiger, mbrojtësi i Realit humbet sfidat në Champions me Sitin

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka humbur një nga lojtarët kyç të tij në momentin më të rëndësishëm të sezonit. Pikërisht atëherë kur luhet në Kupën e Mbretit, në la Liga dhe në Champions, trajneri italian nuk do të ketë të gatshëm për tri javët në vazhdim mbrojtësin Antonio Rydiger.
I cilësuar nga të gjithë si i pathyeshmi, gjermani është “thyer” pikërisht atëherë kur nuk duhej, para play-off-it në Ligën e Kampioneve kundër Sitit. Edhe pse në Madrid shpresojnë se ai do të jetë gati të paktën për takimin e kthimit, garancitë janë të pakta. Mbrojtësi gjerman u dëmtua në ndeshjen kundër Espanjolit pas vetëm çerek ore lojë. Dëmtimi i mbrojtësit është konfirmuar nga stafi i Relait të Madridit të dielën paradite, teksa gjermani iu nënshtrua testeve më të hollësishme.
Në njoftimin e klubit të bardhë thuhet: “Pas testeve të kryera te lojtari Antonio Rydiger, ai është diagnostikuar me një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së tij të djathtë. Në pritje të zhvillimit të situatës”. Megjithëse Madridi nuk jep kurrë data rikuperimi, vlerësohet se mbrojtësi gjerman mund të jetë jashtë për rreth 20 ditë, pikërisht në një moment vendimtar të sezonit me ndeshjen e Kupës kundër Leganes, derbin me Atletikon (8 shkurt) dhe të dy takimet në play-off në Ligën e Kampioneve kundër Mançester Sitit më 11 dhe 19 shkurt. Rydiger ishte një lojtar i shënuar me të kuqe. Sepse gjermani ka grumbulluar ndeshje dhe minuta për dy sezone në një mënyrë që kufizohet me të mbinatyrshmen. Dhe paralajmërimi i dëmtimit u bë realitet pas pesëmbëdhjetë minutash kundër Espanjolit. Në një sezon në të cilin klubi vendosi të mos nënshkruajë me asnjë mbrojtës pavarësisht largimit të Naços, mungesës për një kohë shumë të gjatë të Alabas, dëmtimit të rëndë të Militaos dhe pranisë simbolike të Vajehos, ky dëmtim gjeneron shqetësim dhe ankth.