UEFA nis hetim ndaj Crvena Zvezdës për pankartën në nderim të “Kasapit të Bosnjës”
Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) ka nisur procedurë disiplinore ndaj klubit serb Crvena Zvezda pasi tifozët shfaqën një pankartë në nderim të kriminelit serb të dënuar të luftës të Bosnjës, Ratko Mlladiq, gjatë një ndeshjeje të Ligës së Evropës, transmeton Anadolu.
The Athletic raportoi se klubi nga Beogradi publikoi në llogaritë e tij zyrtare në rrjetet sociale pamje që tregonin tifozët duke mbajtur një pankartë gjatë ndeshjes së dytë të fazës “play-off” të UEFA Ligës së Evropës të së enjtes kundër Viktoria Plzen në Çeki, ku shkruhej: “Gjeneral, lavdi dhe falënderime të përjetshme”.
Gjatë ndeshjes u dëgjuan gjithashtu tifozë duke brohoritur emrin e Mlladiqit.
Organi drejtues i futbollit evropian tha për The Athletic se procedura ishte hapur për “sjellje raciste dhe/ose diskriminuese” dhe për “transmetimin e një mesazhi që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive”.
Klubi përballet gjithashtu me akuzën për “sjellje të pahijshme të ekipit” lidhur me disiplinën gjatë ndeshjes, pasi mori shtatë kartonë të verdhë dhe një karton të kuq.
Mlladiq, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq të enjten në moshën 84-vjeçare derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë.
Në qershor të vitit 2021, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual i OKB-së për Gjykatat Penale la në fuqi dënimin e tij me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995.
Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, në një masakër të njohur si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Më herët, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës tha se kishte paraqitur një ankesë zyrtare në UEFA lidhur me pankartën dhe publikimin e mëvonshëm të pamjeve nga klubi në kanalet e tij zyrtare në rrjetet sociale.
“Një klub që me vetëdije përdor kanalet e tij zyrtare të komunikimit për të përhapur mesazhe që glorifikojnë një person të dënuar ligjërisht për gjenocid, nuk mund ta reduktojë një sjellje të tillë në sjellje të tifozëve. Kjo nuk është më vetëm një çështje e tribunës, por e raportit institucional të klubit ndaj vlerave mbi të cilat UEFA e bazon futbollin evropian”, tha qendra.
– Rasti i mëparshëm i UEFA-s
Crvena Zvezda ishte sanksionuar më parë për nderimet e tifozëve ndaj Mlladiqit gjatë një ndeshjeje të Ligës së Evropës kundër BATE Borisov në nëntor të vitit 2017.
Tifozët brohoritën emrin e Mlladiqit dhe shfaqën një pankartë në mbështetje të tij gjatë barazimit pa gola në Bjellorusi, një ditë pasi një gjykatë e OKB-së e dënoi atë me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në janar të vitit 2018, Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s urdhëroi Crvena Zvezdën që ndeshjen në shtëpi të fazës së 1/16-tës së finales së Ligës së Evropës kundër CSKA Moskës ta zhvillonte pa praninë e tifozëve dhe e gjobiti klubin me 50.000 euro.
Pas një ankese, UEFA e pezulloi zbatimin e dënimit për mbylljen e stadiumit dhe e vendosi klubin nën një periudhë prove dyvjeçare. Gjoba u ul në 30.000 euro.
Sipas Qendrës Përkujtimore, UEFA kishte arritur në përfundimin në rastin e mëparshëm se glorifikimi i Mlladiqit përfaqësonte jo vetëm mbështetje për një individ, por edhe një mesazh që fyente viktimat mbi baza etnike dhe fetare.
Qendra argumentoi se rasti i fundit ishte më serioz, pasi Crvena Zvezda i përforcoi mesazhet duke i publikuar ato përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit.

