Raporti i KE-së: Maqedonia është plotësisht e harmonizuar me PPJS-në dhe ka intensifikuar përpjekjet për Agjendën e Reformave, mbeten ndryshimet kushtetuese
Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili vazhdon të mbetet i përhapur dhe përbën një shqetësim serioz. Po ashtu, nuk është shënuar përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Këto janë disa nga konstatimet kryesore të raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.
Në pjesën që trajton integrimin evropian, Komisioni vëren se vendi ka vazhduar punën për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për përmbushjen e kritereve për hapjen e Kapitullit 1 – “Bazat e procesit të anëtarësimit”. Megjithatë, nuk është shënuar asnjë përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të parashikuara në përfundimet e Këshillit të BE-së të vitit 2022.
Kjo nënkupton se kushti kryesor për avancimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet i papërmbushur.
Raporti rikujton gjithashtu rëndësinë e zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe me vendet fqinje. Në këtë kontekst, Komisioni Evropian veçon Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.
Një tjetër çështje e evidentuar në raport është edhe refuzimi i disa zyrtarëve për të përdorur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.
Vërejtjet më kritike të Komisionit Evropian kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit. Sipas vlerësimit të raportit, vendi ndodhet në një nivel përgatitjeje ndërmjet atij të caktuar dhe atij të moderuar, por gjatë periudhës së raportimit nuk ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
“Korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një çështje shqetësuese serioze”, theksohet në raport.
Komisioni Evropian ndalet veçanërisht edhe te ndryshimet në Kodin Penal të bëra në janar të vitit 2026, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminal.
Sipas vlerësimit të Komisionit, këto ndryshime nuk i adresojnë në mënyrë të mjaftueshme pasojat negative të ndryshimeve të miratuara në vitin 2023. Përkundrazi, ato kontribuojnë në rritjen e pasigurisë juridike.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian evidenton kështu sfidat e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmbushjen e obligimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

