Kanadaja thërret ambasadorin rus lidhur me sulmet me raketa në Poloni
Ministria e Punëve të Jashtme e Kanadasë thirri të premten ambasadorin rus në Otavë për t’i shprehur dënimin e Kanadasë ndaj sulmeve me raketa të Rusisë në Poloni, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale amerikane X, ministria i cilësoi sulmet si “shembulli më i fundit i agresionit të pamatur të Rusisë”, duke paralajmëruar se këto veprime rrisin rrezikun e një përshkallëzimi të paqëllimshëm.
“Kanadaja qëndron krah për krah me aleatët e saj”, thuhet në postim, ku shtohet se Otava është “plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së territorit të NATO-s dhe mbështetjes së Ukrainës”.
Prokurorët polakë thanë se kanë identifikuar mbetjet e tri raketave ruse të lundrimit të tipit Kh-101, të cilat hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës të premten.
Prokuroria e Qarkut në Lublin njoftoi të dielën se fragmentet e raketave u gjetën në Nowy Lipowiec, në rajonin lindor të Lublinit, si dhe në Rudnik dhe Molodycz, në rajonin juglindor të Nënkarpateve.
Prokurorët thanë se gjetjet paraprake tregojnë se të tria raketat janë prodhuar në Dubna, në rajonin e Moskës në Rusi, gjatë muajve tetor ose nëntor.

