Sulmi kibernetik në shërbimin postar të Koresë së Jugut ekspozon të dhënat e mbi 113 mijë personave
Një sulm kibernetik ndaj Zyrës Postare në Internet të Koresë së Jugut ka ekspozuar emrat, adresat dhe numrat e telefonit të të paktën 113.855 marrësve të regjistruar të postës, njoftoi të shtunën shërbimi postar, transmeton Anadolu.
Sipas një analize të të dhënave, kjo shifër i referohet vetëm një dite. Korea Post, pjesë e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, tha se ende po heton se sa persona janë prekur nga shkelja e sigurisë, raportoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.
Sulmuesit kanë shfrytëzuar një funksion në faqen celulare që u mundëson klientëve të ndryshojnë vendndodhjen e dorëzimit të postës. Ata kanë fituar qasje në të dhënat e dërgesave të regjistruara që ishin në proces dorëzimi nga 17 deri më 24 nëntor.
Korea Post tha se të mërkurën njoftoi policinë pasi zbuloi shenja të sulmit. Shërbimi pezulloi përkohësisht disa funksione, përfshirë mundësinë e ndryshimit të vendndodhjes së dorëzimit, si dhe bllokoi qasjen në faqen e tij celulare nga adresat IP jashtë vendit.
“Kërkojmë sinqerisht falje që kemi shkaktuar shqetësim te publiku dhe klientët e shërbimit postar”, ka thënë drejtori i Korea Post, Park In-hwan.
“Do të hetojmë plotësisht shkaqet e incidentit dhe do të bëjmë çmos për të parandaluar përsëritjen e tij dhe për të ruajtur besimin e publikut”, ka shtuar ai.
Sulmi vjen pas një serie shkeljesh të sigurisë së të dhënave në institucionet financiare dhe agjencitë publike të Koresë së Jugut gjatë javëve të fundit. Një rrjedhje e të dhënave në kompaninë shtetërore Korea Electric Power Corp. ekspozoi informacionet personale të rreth 1,52 milion personave.

