Leverkusen i pamposhtur, “Aspirinat” në finale përballë Atalantës

Leverkusen i pamposhtur, “Aspirinat” në finale përballë Atalantës

Atalanta shkruan historinë. Skuadra italiane siguroi finalen e parë europiane falë suksesit 3-0 ndaj Marseille (1-1 ndeshja e parë). Lookman, Ruggeri dhe Toure realizuan golat e fitores për ekipin e Gasperinit, që në datën 22 maj do të përballet në finalen e Dublinit përballë Bayer Leverkusenit të Granit Xhakës.

Sukses i jashtëzakonshëm dhe i merituar edhe për Berat Gjimshitin, kapitenin e kombëtares shqiptare, i cili realizoi një tjetër ndeshje të madhe. Festojnë edhe “Aspirinat” e Xabi Alonsos.

Leverkuseni eliminoi Romën. Kampionët e Gjermanisë e mbyllën në barazim 2-2 duelin e kthimit ndaj Romës. Suksesi 0-2 në kryeqytetin italian ishte thelbësor për kualifikimin, me gjermanët që u hakmorrën ndaj verdhekuqve dhe prenë biletën e finales irlandeze.

Paredes krijoi shpresë te Roma dhe frikë te gjermanët me dy penalltitë e ekzekutuara saktë. Por autogoli i Mancinit dhe eurogoli i kroatit Stanisic ruajtën pathyeshmërinë sezonale të “Aspirinave”.

Titull, finale e Kupës së Gjermanisë dhe e Europa League. Leverkuseni mund ta kthejë këtë sezon në legjendar dhe të paharrueshëm për tifozët.

Feston edhe Olympiacosi në Conference League, që mposhti përsëri Aston Villën. Marokeni El Kaabi shënoi dy herë, pesë në total në dy gjysmëfinalet. Skuadra nga Pireu do të sfidojë Fiorentinën në finalen e 29 majit në Athinë.

 

MARKETING