Manchester City shpallet fajtor për të gjitha akuzat financiare – mashtruan 1 miliard euro, tani pritet sanksioni

Manchester City shpallet fajtor për të gjitha akuzat financiare – mashtruan 1 miliard euro, tani pritet sanksioni

Manchester City është shpallur fajtor për të gjitha akuzat kryesore për shkelje të rënda të rregullave financiare të Ligës Premier, pas përfundimit të procesit të gjatë të shqyrtuar nga një Komision i Pavarur.

MARKETING

Shik.mk

Sipas Ligës Premier, shkeljet lidhen me periudhën nga sezoni 2009/10 deri në 2017/18. Komisioni ka konstatuar se Manchester City kishte përdorur një numër marrëveshjesh komerciale të cilësuara si “të rreme”, përmes të cilave të ardhurat e klubit ishin rritur artificialisht dhe kostot ishin paraqitur më të ulëta se sa ishin në të vërtetë.

Sipas gjetjeve të Komisionit, pjesë e kësaj skeme ishin marrëveshje sponsorizimi në të cilat kompanitë paguanin vetëm një pjesë të shumës së deklaruar, ndërsa pjesa tjetër financohej nga Abu Dhabi United Group (ADUG), entiteti që zotëronte klubin.

Komisioni arriti në përfundimin se këto skema kishin ndikuar në paraqitjen e gjendjes financiare të Manchester Cityt.

Në dokumentet e publikuara nga Liga Premier thuhet se qëllimi i këtyre marrëveshjeve ishte rritja artificiale e të ardhurave dhe ulja e kostove me më shumë se 900 milionë funte (1 miliard euro) gjatë periudhës së hetuar, në mënyrë që klubi të paraqitej në përputhje me rregullat financiare.

Komisioni gjithashtu konstatoi se Manchester City kishte paraqitur llogari të pasakta dhe nuk kishte raportuar në mënyrë të plotë gjendjen e financave të tij te auditorët dhe rregullatorët e futbollit. Sipas vendimit, nëse marrëveshjet do të ishin raportuar në mënyrë të saktë, klubi do të kishte shkelur limitet e shpenzimeve të Ligës Premier dhe rregullat financiare të UEFA-s në një masë të konsiderueshme.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me bashkëpunimin e klubit gjatë hetimit. Komisioni konstatoi se Manchester City kishte kryer shkelje të shumta të detyrimeve për bashkëpunim me Ligën Premier, ndërsa tre nga katër akuzat për këtë aspekt u mbështetën nga Komisioni.

Drejtori ekzekutiv i Ligës Premier, Richard Masters, e cilësoi vendimin si një prej rasteve më të rëndësishme disiplinore në historinë e kompeticionit. Ai tha se vendimi përcakton faktet e asaj që kishte ndodhur te Manchester City gjatë periudhës së hetuar dhe se tani procesi do të vazhdojë me përcaktimin e sanksionit.

Sanksioni ende nuk është vendosur. Liga Premier ka bërë të ditur se kjo çështje do të trajtohet në një seancë tjetër para Komisionit të Pavarur, e cila do të zhvillohet privatisht dhe konfidencialisht deri në momentin kur rezultati mund të publikohet.

Manchester City ka të drejtë të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur dhe afati për ta bërë këtë është deri më 2 tetor. Ndërkohë, Premier Liga synon që i gjithë procesi, përfshirë çdo apel dhe publikimin e vendimeve përkatëse, të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

MARKETING