Kufi i ri shpenzimesh, klubet e Premier League-s bëhen bashkë

Kufi i ri shpenzimesh, klubet e Premier League-s bëhen bashkë

Shumica e klubeve të Premier League-s votuan këtë të hënë për caktimin e një kufiri të ri shpenzimesh që çdo klub duhet të respektojë.

Që masa të miratohej, duhej që 14 klube të ishin pro, por vetëm tri votuan kundër: Manchester United, Manchester City dhe Aston Villa. Chelsea abstenoi në këtë votim.

Ky propozim do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme vjetore të Ligës, që do të mbahet në qershor. Nëse miratohet, ky model i ri do të zëvendësojë rregullat e qëndrueshmërisë financiare që janë në fuqi.

Këto rregulla, zbatimi i të cilave bënë që Evertonit t’i zbriteshin tetë pikë dhe Nottingham Foresti gjashtë pikë këtë sezon, janë kritikuar me pretekstin se godasin klubet që kanë më pak të ardhura. Për momentin është përcaktuar se çdo klub nuk mund të regjistrojë humbje mbi 123 milionë euro për një periudhë trevjeçare.

Sipas modelit të ri, klubet që konkurrojnë në garat evropiane do të mund të shpenzojnë vetëm 70% të vlerës së të ardhurave të tyre. Ky kufi do të ishte 85% për ekipet që nuk marrin pjesë në këto gara.

Këto rregullore bazohen në Fair Play-n Financiar të UEFA-s, që u dikton klubeve të shpenzojnë jo më shumë se 70% të të ardhurave të tyre për kostot e skuadrës. Me fjalë të tjera, shuma që çdo klub mund të shpenzojë është e kufizuar nga sasia e parave që gjeneron.

 

MARKETING