Izraeli miraton buxhet 270 milionë dollarësh për rrugët e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor

Izraeli miraton buxhet 270 milionë dollarësh për rrugët e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor

Qeveria e Izraelit miratoi buxhet prej rreth 270 milionë dollarësh për të ndërtuar rrugë që lidhin vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportoi sot gazeta “Haaretz”, transmeton Anadolu.

E përditshmja tha se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu miratoi mbi 1 miliard shekel (rreth 270 milionë dollarë) për të ndërtuar rrugë që lidhin vendbanimet e reja në territorin e pushtuar.

Në fazën e parë, rreth 3 milionë shekel (rreth 1 milion dollarë) do të ndahen për të përgatitur planin dhe për të përfunduar punën fillestare të projektimit, e cila do t’i paraqitet qeverisë për miratim brenda 45 ditëve, shkruan “Haaretz”, duke cituar një deklaratë qeveritare.

Deklarata tha se financimi për punën e zhvillimit do të sigurohet si një ndarje shtesë nga buxheti i Ministrisë së Financave duke mos specifikuar lokacionet ku do të ndërtoheshin rrugët. Vendimi vjen në mes të aktivitetit të përshpejtuar të vendbanimeve të paligjshme që kur qeveria e Netanyahut mori detyrën në fund të vitit 2022, me zgjerim të konsiderueshëm në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar.

Rreth 750 mijë pushtues izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, përfshirë rreth 250 mijë në Kudsin Lindor, në vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, sipas vlerësimeve palestineze. Që nga tetori i vitit 2023, forcat dhe pushtuesit izraelitë kanë vrarë të paktën 1.155 palestinezë në Bregun Perëndimor, kanë plagosur rreth 11.750 dhe kanë arrestuar gati 22 mijë, sipas shifrave palestineze.

Në një mendim historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING