“Dy aktivistë të flotiljes humanitare për Gazën përballen me kërcënime me vdekje në burgjet izraelite”

“Dy aktivistë të flotiljes humanitare për Gazën përballen me kërcënime me vdekje në burgjet izraelite”

Dy aktivistë nga flotilja humanitare që po shkonte drejt Gazës dhe u ndalua nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, braziliani Thiago De Avila dhe spanjolli Saif Abu Keshek, kanë marrë kërcënime me vdekje gjatë paraburgimit në Izrael, tha të hënën një organizatë izraelite që mbron të drejtat e palestinezëve, transmeton Anadolu.

Qendra e të drejtave Adalah tha në një deklaratë se Avila dhe Abu Keshek po i nënshtrohen keqtrajtimit, torturës psikologjike dhe kërcënimeve me vdekje ose me 100 vjet burg në burgjet izraelite.

Deklaratat nga Adalah vijnë pas një vizite nga avokatet Hadeel Abu Saleh dhe Lubna Touma në burgun Shikma në jug të Izraelit, ku po mbahen dy aktivistët.

Organizata shtoi se dy aktivistët kanë hyrë në ditën e gjashtë të një greve urie, duke konsumuar vetëm ujë, në shenjë proteste kundër rrëmbimit të tyre të paligjshëm nga ujërat ndërkombëtare, ndërsa po merrnin pjesë në një mision humanitar që synonte thyerjen e bllokadës së paligjshme të vendosur ndaj Rripit të Gazës.

Avila u tha avokatëve të tij se iu nënshtrua “marrjeve të përsëritura në pyetje, secila që zgjaste deri në tetë orë, gjatë të cilave hetuesit kanë bërë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj tij, duke thënë se ose do të vritej ose do të kalonte 100 vjet në burg”.

Aktivistët po mbahen “në një ambient jashtëzakonisht të ftohtë dhe u vendosen lidhëse në sy sa herë që nxirren jashtë qelive të tyre, edhe gjatë ekzaminimeve mjekësore”.

Në përfundim thuhet: “Adalah vazhdon të kërkojë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte dhe ndërprerjen e këtyre procedurave të paligjshme”.

Abu Keshek dhe Avila ishin ndër 175 aktivistët në mbi 20 anije që u bastisën dhe u ndaluan të enjten ndërsa ishin në rrugë drejt Gazës, në përpjekje për të sfiduar rrethimin izraelit.

Aktivistët u dërguan në Izrael për marrje në pyetje dhe ndjekje të mundshme penale, sipas një deklarate nga koalicioni i Flotiljes Globale Sumud të dielën.

Anijet e para të flotiljes, që transportonin ndihma humanitare, u nisën nga Barcelona më 12 prill, ndërsa flota kryesore u nis nga ishulli italian i Siçilisë më 26 prill, me synimin për të thyer bllokadën shumëvjeçare të Izraelit ndaj Gazës.

Izraeli ka vendosur një bllokadë shkatërruese ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke lënë 2,4 milionë banorët e territorit në prag të urisë.

Ai nisi një ofensivë brutale dyvjeçare ndaj Gazës në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 persona, duke plagosur mbi 172.000 dhe duke shkaktuar shkatërrime masive në territorin e rrethuar.

MARKETING