Botimet ALSAR: Doli nga shtypi libri i ri ”Fjalori i madh dhe Akademia e vogël”

Botimet ALSAR: Doli nga shtypi libri i ri ”Fjalori i madh dhe Akademia e vogël”

Sapo doli nga shtypi libri i ri “Fjalori i madh dhe Akademia e vogël”, botimet ALSAR. Autori Mehmet Elezi i bën një oponencë shkencore Fjalorit të madh të gjuhës shqipe (FMGJSH), që ka hedhur në linjë Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.

MARKETING

Shik.mk

Autori shqyrton tri risi kryesore që priteshin në këtë Fjalor: 1. Përkufizim profesional i fjalëve, me filozofinë e një shoqërie të lirë, të zhveshur nga ideologjia; 2. Hapje gjithëpërfshirëse për thesarin e fjalësit nga krejt trevat, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, duke përfshirë të gjitha pasuritë leksikore të lëna jashtë fjalorëve të mëparshëm për arsye jashtëgjuhësore; dhe: 3. Metodologji bashkëkohore në përkufizim, përfshi etimologjinë e fjalëve dhe ilustrimin me citime nga autorë e vepra të mëdha. Ai thekson se pritshmëri të tilla për FMGJSH ishin me këmbë në tokë, ishin për të mundshmen, jo thjesht për të dëshiruarën.
Lënda është strukturuar në 28 kapituj, si “Fjalori si pasqyrë qytetërimi”, “Fjalë identitare pa pasaportë”, “Etimologjia nuk shkëlqen me mungesën e saj”, “Nuk është duvaku që të bën nuse”, “Zëri i fjalëve prej emërvendeve të moçme”, “Modernizimi i fjalësit” e të tjera. Në libër shqyrtohen përkufizimet e fjalëve (lemave), që autori i përzgjedh sipas kriteresh të caktuara, bëhen përqasje më fjalorët e mëparshëm dhe me përvojën e akademive të tjera, bëhen vërejtje e sugjerime.

Sipas tij: – mungesa e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës dhe përzgjedhja e bashkëhartuesve shpesh jo sipas kapaciteteve shkencore që përfaqësojnë; – mungesa e etimologjisë së fjalëve; – mungesa e ilustrimit nga vepra të autorëve të mëdhenj e nga monumentet folklorike të botës shqiptare; – ngutja për të përfunduar veprën pavarësisht mangësive të tilla; – këto e lënë përsëri Fjalorin e gjuhës shqipe nën mundësitë tona dhe nën nivelin e veprave të ngjashme të akademive të rajonit.

Duke qenë e vetmja oponencë pak a shumë e plotë e botuar deri tashti për FMGJSH, shpresohet se botimi i këtij libri përbën ndihmesë të dukshme për të bërë mjaft përmirësime në Fjalor, para se të dërgohet për shtyp.

MARKETING