Aksidenti tragjik në Durrës, 8-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën
8-vjeçari i plagosur në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të transferohet në pavijon për trajtim të mëtejshëm.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i mituri është në gjendje të stabilizuar, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve për dëmtimet e marra nga aksidenti.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj, ku si pasojë humbën jetën dy fëmijë, 10 dhe 12 vjeç të cilët po luanin në trotuar.
Sipas Policisë së Durrësit, drejtuesi i mjetit, shtetasi Nikoll Radaçi, 57 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përplasur tre të mitur të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Nga testimi rezultoi se shoferi ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ai është arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Autoritetet bëjnë me dije se 57-vjeçari ka qenë i ndëshkuar edhe më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalim të gabuar dhe tejkalim të shpejtësisë.
/vizionplus.tv

