(VIDEO) 4 vjeçari është milioneri më i ri, ndërsa 97 vjeçari milioneri më i moshuar

(VIDEO) 4 vjeçari është milioneri më i ri, ndërsa 97 vjeçari milioneri më i moshuar

 

MARKETING

Shik.mk

Milioneri më i ri në moshë në RMV është një 4-vjeçar i cili ka realizuar 3.1 milionë denarë nga dividenda, ndërkaq më i moshuari është 97-vjeçar i cili ka realizuar 1.1 milionë denarë nga pensioni dhe të ardhura të tjera si dhe paga më e lartë vjetore bruto arrin në 139,1 milionë denarë, që në nivel mujor përkthehet në një pagë bruto prej 188.482 eurosh. Këto janë të dhënat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për vitin 2025. Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova gjatë shpalosjes së këtyre të dhënave deklaroi se vitin e kaluar qytetarët kanë dorëzuar mbi 863.100 deklarata tatimore, kryesisht 10.6 % më shumë se në vitin 2024. Numri më i madh i deklaratave është dorëzuar në Shkup, i ndjekur nga Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova dhe Strumica.

ELENA PETROVA, DREJTORESHË E DREJTORISË SË TË ARDHURAVE PUBLIKE

“Paga më e lartë vjetore bruto arrin në 139,1 milionë denarë, ndërsa dividenda më e lartë është 252,6 milionë denarë dhe fitimi më i lartë kapital është 164,2 milionë denarë. Të ardhurat më të larta nga veprimtaria e pavarur arrijnë në 157,9 milionë denarë.Sa i përket të ardhurave totale nga të gjitha burimet, të ardhurat më të larta në vitin 2025 arrijnë në 257,5 milionë denarë dhe janë realizuar nga një qytetar i Gjevgjelisë përmes pagës, dividendës dhe të ardhurave të tjera të paguara nga një kompani. Pas tij renditet një qytetar i Ohrit me 254,4 milionë denarë”.

Petrova bëri të ditur se paga më e lartë vjetore bruto në vitin 2025 i është paguar një personi nga Shkupi dhe është realizuar në veprimtarinë “Nxjerrja e qymyrit”. Ajo tha se të pesë pagat më të larta në Maqedoni tejkalojnë 2 milionë euro në vit, në vlerë bruto, dhe të gjitha janë paguar në Shkup dhe se ato janë realizuar në sektorët e farmacive, tregtisë me duhan, ushqime dhe pije, spitaleve dhe tregtisë me produkte farmaceutike. Ajo gjithashtu theksoi se vëmendje të veçantë tërheq kategoria e të ardhurave më të larta.

ELENA PETROVA, DREJTORESHË E DREJTORISË SË TË ARDHURAVE PUBLIKE

“Në vitin 2025, 31 qytetarë realizuan të ardhura vjetore mbi 100 milionë denarë, me një shumë totale prej 4.973 miliardë denarësh. Në vitin 2024, në këtë kategori kishte 42 qytetarë, me të ardhura totale prej 6.753 miliardë denarësh. Pra, në kategorinë me të ardhurat më të larta është shënuar rënie si në numrin e personave, ashtu edhe në shumën totale të të ardhurave të realizuara”.

Nga DAP theksojnë se gjatë së njëjtës periudhë, të ardhurat bruto të përcaktuara janë rritur për 74,1 miliardë denarë, përkatësisht për 13,8 %. Ndërsa tatimi i përcaktuar mbi të ardhurat personale është rritur për 4,9 miliardë denarë, që përbën një rritje prej 13,9 %.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING