Omeragic: Shkëndija refuzon ndihmën financiare nga FFM për stadiumin
Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Masar Omeragić, ka bërë të ditur se federata kishte ofruar mbështetje financiare për rinovimin e stadiumit në Tetovë, por ajo është refuzuar nga klubi KF Shkëndija.
“Shkëndija nga Tetova nuk ka regjistruar një stadium të ri për sezonin e ri, megjithëse stadiumi i tyre është duke u rinovuar. Ne paralajmëruam mbështetje prej 700,000 eurosh për ndërtimin e tribunave në Tetovë. Megjithatë, në një takim me një përfaqësues të menaxhmentit të Shkëndijës, mora një përgjigje se nuk kanë nevojë për ndihmë. Nuk jam nga ata që do t’i luten dikujt të pranojë mbështetje”, tha Omeragic.
Mbetet të shihet se si Shkëndija do ta zgjidhë çështjen e stadiumit para fillimit të sezonit të ri. Klubi nga Tetova po kërkon të rikuperohet pas një sezoni pa trofe, ku përfundoi i dyti në kampionat dhe humbi finalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut.

