Mexhiti: Sonte iu vu vula fitores në Bërvenicë!
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, pas konventës promovuese të kandidatit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Hiseini, ka deklaruar se nga Çellopeku ka nisur rrugëtimi drejt zgjedhjeve të 18 tetorit. Ai u shpreh se Hiseini ka marrë mbështetje të fuqishme nga qytetarët dhe aktivistët.
“Nga Çellopeku i Bërvenicës nisi sonte rrugëtimi drejt fitores së madhe të 18 tetorit!
Jakup Hiseini mori mbështetjen e fuqishme të qytetarëve, të aktivistëve dhe të gjithë neve, për t’i prirë Bërvenicës me përkushtim, përgjegjësi dhe vizion. Sepse Bërvenica meriton një qeverisje të drejtë e serioze, që i dëgjon qytetarët dhe i kthen zotimet në punë e projekte.
Sonte iu vu vula fitores! Banorët e Bërvenicës e dinë kujt t’ia besojnë komunën. E dinë se VLEN-i është forca që e kthen besimin në ndryshim dhe mbështetjen qytetare në qeverisje të përgjegjshme.
Më 18 tetor, këtë besim e vulosim me votë. Për Jakup Hiseinin, për VLEN-in, për Bërvenicën që meritojmë!”, ka deklaruar Mexhiti.

