Toshkovski: “Safe City” së shpejti do të mund të njohë edhe motoçiklistët që nuk mbajnë helmetë mbrojtëse
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se sistemi “Safe City” do të përditësohet me teknologji të bazuar në inteligjencën artificiale, e cila do të mundësojë zbulimin automatik të motoçiklistëve.
Toshkovski e bëri njoftimin gjatë vizitës në festivalin “Moto Ilinden Urban Drive” në Shkup, ku theksoi rëndësinë e përdorimit të pajisjeve mbrojtëse dhe respektimit të rregullave të trafikut nga motoçiklistët.
“Qyteti i Sigurt” tashmë është zgjeruar edhe për motoçikletat. Në fillim të shtatorit, Toshkovski njoftoi se ishte zgjidhur problemi teknik për detektimin e shkeljeve të motoçiklistëve dhe se në ditën e parë sistemi kishte regjistruar rreth nëntë raste të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar.
Hapi i radhës është integrimi i teknologjisë që do të mundësojë njohjen e motoçiklistëve pa helmetë. Sipas njoftimeve, funksioni ende nuk është aktiv, por pritet të vihet në përdorim pas përditësimit të sistemit me inteligjencë artificiale.
Toshkovski ka theksuar se përdorimi i helmetës dhe pajisjeve mbrojtëse, respektimi i kufizimeve të shpejtësisë dhe rregullave të trafikut janë masa që synojnë rritjen e sigurisë së motoçiklistëve dhe uljen e pasojave nga aksidentet rrugore.

