Bullgaria e gatshme për bisedime me Maqedoninë e Veriut, por pa ultimatume
“Bullgaria është e gatshme për bisedime, por pa ultimatume dhe pa lëshime nga politika evropiane – Mickoski duhet të harrojë se çështja është bilaterale”. kështu deklaroi presidentja bullgare, Ilijana Jotova, pas mesazheve të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Shkupi.Jotova tha se është optimiste e moderuar dhe se do t’i kërkojë shefes së diplomacisë bullgare, Petkova Çamova, që t’ia vë në dispozicion notën diplomatike të Mucunskit, me kërkesë për takim në Sofje.Ajo shpreson që Von der Leyen të ketë qenë “jashtëzakonisht e vendosur” me Mickoskin.
ILIJANA JOTOVA, PRESIDENTE E BULLGARISË
“Ende nuk i di detajet e bisedës kokë më kokë me zonjën Von der Leyen. Shpresoj që këtë herë ajo të ketë qenë jashtëzakonisht e vendosur. Që kjo bisedë të jetë serioze, zoti Mickoski duhet ta lexojë shumë mirë politikën evropiane sa i përket zgjerimit. Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të harrojë se kjo është një çështje bilaterale, siç përpiqet ta paraqesë ai. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për bisedime me ta, por bisedime pa ultimatume dhe pa lëshime në raport me politikën evropiane”.
Ajo tha se Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lejojmë që një vend që ka nisur rrugën evropiane të mos i pranojë vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian, e aq më pak të flasë me ton ultimativ.
Kryeministri Mickoski deklaroi të shtunën se nëse Bullgaria e refuzon takimin, edhe një herë do të konfirmohen tezat e Qeverisë së tij.
Edhe pse nuk është i kënaqur me mesazhin e Von der Leyen për ndryshimet kushtetuese, Mickoski deklaroi se biseda me të ishte miqësore dhe pozitive. Ofertën për një takim bilateral në Sofje, ai e cilësoi si propozim konstruktiv nga Von der Leyen.
/SHENJA/

