Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) në mbështetje të protestave studentore: Moszbatimi i gjuhës shqipe, shkelje e rëndë ligjore

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) në mbështetje të protestave studentore: Moszbatimi i gjuhës shqipe, shkelje e rëndë ligjore

MARKETING

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar me shqetësim ndaj mosrespektimit të vazhdueshëm të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e konsideruar këtë fenomen një shkelje serioze të të drejtave themelore dhe të parimeve kushtetuese të shtetit.

MARKETING

Sample Image

Në një deklaratë publike, UGSH thekson se reagimi vjen pas një sërë denoncimesh në media, si dhe nga organizata të shoqërisë civile dhe personalitete të ndryshme në vend, që kanë ngritur alarmin për moszbatimin e gjuhës shqipe në institucione dhe në jetën publike.

Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) në vijim:

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Denoncojmë shkeljen e ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe mbështesim protestat dhe reagimet publike

Tiranë më 5 Prill 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon me shqetësim ndaj situatës së krijuar në Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosrespektimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
Reagimi ynë vjen pas një vargu denoncimesh në spektrin multimediatik të vendit fqinj, pas shumë denoncimeve publike nga organizata dhe rrjete të shoqërisë civile si dhe personalitete të ndryshme nga shoqëria multietnike e këtij vendi.
UGSH e konsideron këtë sjellje dhe praktikë të moszbatimit të ligjit për gjuhën shqipe si akt goditës ndaj të drejtave themelore dhe sidomos parimeve të shtetit të të drejtave dhe kushtetutës së vendit.
Republika e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat për anëtar në BE, nuk ka se si të pranojë që në një shoqëri me bashkëjetesë etnike e drejta themelore për përdorimin e gjuhës është kriter kryesor. Ky kriter garantohet nga Kushtetuta dhe është bazik për ekzistencën e vetë republikës dhe mbarësisë së saj.
Praktikat dhe sjelljet e deritanishme të vërejtura në jetën publike, në procese administrative dhe sidomos në marrëdhëniet dhe komunikimet politike mes dy etnive, nga autoritete dhe përfaqësues politikë maqedonas, janë reminishenca të së shkuarës dhe dëshmi e ndërgjegjeve të molepsura nacionaliste.
UGSH u drejtohet mediave dhe kolegëve maqedonas në Maqedoninë e Veriut, të bëhen solidarë dhe mbështetës të këtij kriteri bazik të mishëruar në Kushtetutën e vendit, në përkrahje dhe respektim të gjuhës së shenjtë shqipe. Kërkojmë nga këta kolegë dhe mediat profesioniste në këtë vend, të denoncojnë dhe raportojnë me objektivitet rastet e përfaqësuesve të lartë institucionalë shtetërorë, përfshirë edhe anëtarë të kabinetit qeverisës, që e drejta ligjore e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë republikë të mos cënohet në asnjë rast dhe prej askujt.
Në këtë kuadër UGSH mbështet apelet dhe thirrjet për reagime të fuqishme publike nga qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas për këtë të drejtë ligjore dhe ekzistenciale në republikën fqinje.
Ne shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë ndaj protestës së paralajmëruar të studentëve. Ju bëjmë thirrje anëtarëve të organizatës sonë të bëhen pjesë e kësaj proteste për ta pasqyruar dhe raportuar atë në një spektër sa më të gjerë mediash kombëtare dhe ndërkombëtare.
UGSH përkrah Unionin e Studentëve Shqiptarë në këtë reagim dhe protestë të paralajmëruar sikundër, kërkojmë nga institucionet e larta të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e tyre në organizmat ndërkombëtare, të ngrenë zërin fuqishëm, duke kërkuar edhe hetimet e rasteve nga këto organizma, për garantimin dhe zbatimin e të drejtës themelore për gjuhën amtare të shqiptarëve, në vendin fqinj.

Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

MARKETING