29 vende, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, dënojnë “sulmet, sabotimet dhe sulmet kibernetike” të Iranit
Ministrat e jashtëm të 29 vendeve dënuan të hënën ato që i cilësuan si sulme iraniane ndaj vendeve të tyre dhe partnerëve, duke mbështetur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për përfshirjen e Iranit në një incident të muajit të kaluar në një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) britanike, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Ministria e Jashtme britanike, ministrat dënuan “me termat më të ashpër” veprimtaritë që përfshijnë plane për sulme vdekjeprurëse, zjarrvënie të qëllimshme, sabotim, sulme kibernetike dhe operacione të tjera hibride.
Nënshkruesit përfshijnë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe vende të tjera evropiane.
“Ne e njohim vlerësimin e Mbretërisë së Bashkuar për përfshirjen e Iranit në incidentin në bazën ‘RAF Fairford’ më 27 shtator”, thuhet në deklaratë.
Ministrat e jashtëm thanë se Mbretëria e Bashkuar ka arritur në përfundimin se incidenti dëshmon gatishmërinë e vazhdueshme të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike për të kryer veprimtari armiqësore jashtë kufijve të Iranit, përmes rrjeteve të fshehta dhe aktorëve të ndërmjetëm.
Deklarata përmendi gjithashtu një fushatë të fundit sulmesh në gjithë Evropën, që kishte në shënjestër komunitetet hebraike, gazetarët iranianë dhe interesat amerikane, për të cilat ka marrë përgjegjësinë grupi Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya (HAYI).
“Çdo përpjekje e Iranit për të kërcënuar, heshtur, frikësuar, ngacmuar, dëmtuar ose detyruar njerëz në territoret tona, përmes grupeve të ndërmjetme apo çfarëdo mjeti tjetër, është e papranueshme”, thanë kryediplomatët.
Ata paralajmëruan se do të ndërmerren përpjekje për identifikimin, hetimin, pengimin dhe ndjekjen penale të personave që kryejnë veprimtari armiqësore në emër të Iranit ose të cilitdo shtet tjetër.
Nënshkruesit u zotuan të forcojnë koordinimin ndërkombëtar dhe qëndrueshmërinë kombëtare, të mbrojnë komunitetet e tyre dhe të kërkojnë llogari nga përgjegjësit.

