LSDM: Paga minimale prej 600 eurosh u refuzua, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës

LSDM: Paga minimale prej 600 eurosh u refuzua, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon qeverinë për mospërmbushjen e premtimeve ekonomike, duke vënë në pikëpyetje deklaratat për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

MARKETING

Shik.mk

Nga LSDM thonë se propozimi për rritjen e pagës minimale në 600 euro, i paraqitur nga kjo parti në Kuvend, nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare. Sipas tyre, VMRO-DPMNE dhe ZNAM nuk votuan për propozimin, ndërsa deputetët e së Majtës nuk ishin të pranishëm në sallë.

“Dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar as shportën minimale të konsumit të llogaritur nga qeveria. Nëse përfshihet edhe qiraja, shporta sindikale tejkalon 90 mijë denarë. Ndërkohë, çmimet e karburanteve janë në nivele të larta dhe qytetarët mezi sigurojnë mjetet për nevojat bazë”, deklarojnë nga LSDM.

Sipas kësaj partie, premtimet për një pagë mesatare prej 1.000 eurosh nuk mund të realizohen vetëm përmes deklaratave politike, por kërkojnë masa konkrete për rritjen e pagave dhe uljen e kostos së jetesës.

LSDM pretendon se masat që kishte propozuar në fillim të krizës nuk u pranuan nga qeveria, ndërsa, sipas saj, rritja e çmimeve ka rënduar më tej buxhetet familjare.

“Nuk ka 600 euro pagë minimale, por flitet për një pagë mesatare prej 1.000 eurosh. Nuk ka përmirësim real të standardit, por vetëm premtime. Përrallat e hajdutëve nuk kanë fund. Në fund, faturën e paguajnë qytetarët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

MARKETING