(VIDEO) Nisin punimet në aksin Bukojçan- Kërcovë, një orë e gjysmë Shkup-Ohër
Është bërë nisja zyrtare e punimeve në autostradën nga Bukojçani deri në Kërçovë, që është pjesë e Korridorit 8 dhe që lidh autostradat nga Kërçova deri në Ohër dhe nga Tetova përmes Gostivarit deri në Bukojçan. Autostrada ka dy korsi trafiku dhe një korsi ndalimi në të dyja drejtimet, dhe shpejtësia e lejuar do të jetë 110 deri në 130 kilometra në orë. Gjithashtu do të ketë 5 ura, një tunel, dy viadukte dhe dy kryqëzime. Ndërsa është parashikuar të ndërtohet brenda katër vjetësh.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që për shpejtë kohë të vihen në funksion kilometrat e para, ndërsa paralajmëron që vitin e ardhshëm të vihet në funksion gazësjellësi me vendet fqinje.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Pres që shumë shpejt nga sot të vihet në funksion një pjesë e autostradës Kërçovë-Ohër, pra nga Izvori deri në Vrbjan. Gjithashtu, vitin e ardhshëm pres që të vihet në funksion gazsjellësi që do ta lidhë vendin me fqinjin tonë jugor, kanë filluar punimet në ndërlidhësin e gazit me fqinjin tonë verior, po punohet në pjesët dhe lidhjet e autostradës që janë pjesë e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D, pres që kilometrat e parë të Korridorit 10D të vihen në funksion vitin e ardhshëm”.
Sipas zëvendës kryeministrit Aleksandar Nikolloskit, ky është një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm që duhet të sigurojë të gjithë lidhjen me pjesën perëndimore të vendit, përmes Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës, duke mundësuar lidhjen e plotë të Korridorit 8.
Aleksandar Nikollovski, zv/kryeministër
“Këto 12 kilometra janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe duhet t’i japin kuptim dhe integritet të gjithë lidhjes autostradale, jo vetëm nga Shkupi në Ohër, por edhe të gjithë Korridorit 8. Me këtë lidhje autostrade, i gjithë korridori fiton kuptim. Aktivitetet ndërtimore fillojnë pikërisht në vendin ku përfundon autostrada Ohër-Kërçovë, nga ku traseja do të vazhdojë drejt Bukojçanit. Në të njëjtën kohë, tashmë po punohet intensivisht për ndërtimin e një zgjidhjeje autostrade në segmentin nga Bukojçani në Gostivar”.
Drejtori i Rrugëve Shtetërore Koce Trajanovski njoftoi se autostrada Shkup – Ohër do të jetë pa pagesë dhe do të udhëtohet për më pak se një orë e gjysmë.
Koce Trajanovski, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”
“Nuk po flasim për plane, po fillojmë me ndërtimin e 11.5 kilometrave. Vitin tjetër do të lëshojmë autostradën Kërçovë-Ohër, ndërsa punime intensive po bëhen edhe në autostradën Tetovë-Gostivar, kështu që sot po lëshojmë në përdorim pjesën që mungon, pra pjesën që do t’i lidhë këto pjesë të autostradës. Do të jetë një autostradë moderne pa pagesë, kështu që shpresojmë të udhëtojmë nga Shkupi në Ohër për më pak se një orë e gjysmë”.
Paratë janë siguruar përmes BERZH-it në shumën prej 119 milionë eurosh, me 20 milionë euro shtesë si grant nga Bashkimi Evropian dhe 300 mijë euro që janë siguruar përmes Fondit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Emine Ismaili /SHENJA/

