(VIDEO) Shtetësja bullgare me proces gjyqësor largohet nga RMV

(VIDEO) Shtetësja bullgare me proces gjyqësor largohet nga RMV

Një vit pas aksidentit të rëndë në Koçan, 23-vjeçarja Iva Mihajllova ndodhet në Bullgari. Ajo ka mbërritur atje për kontrolle mjekësore dhe trajtim, pasi gjendja e saj shëndetësore, siç thotë ajo, është përkeqësuar. Meqenëse procedura gjyqësore kundër saj në vend vazhdon ajo për mediat bullgare ka deklaruar se kufirin së bashku me avokatin e saj nga RMV e kanë kaluar në mënyrë ligjore. Ajo tha se RMV-në e ka lëshuar me letërnjoftim të RMV-së, ndërkaq në Bullgari ka hyrë me letërnjoftim të Bullgarisë.

MARKETING

Shik.mk

 IVA MIHAJLLOVA

“Dje e kaluam kufirin plotësisht në mënyrë të ligjshme, së bashku me avokatin tim nga Maqedonia. Duhet të trajtohem në spitalin ‘Pirogov’ dhe të shoh se si do të vazhdojnë gjërat. Isha nën presion për shkak të prejardhjes sime bullgare dhe nuk ndihesha mirë. Nuk e di sa gjatë do të qëndroj në Bullgari, do ta vlerësoj nëse do të kthehem. Jam e lumtur që jam këtu dhe ndihem e sigurt. Vazhdimisht e kam ndier mbështetjen e Bullgarisë, i gjithë populli ishte me mua”.

Avokati i saj Nikollaj Dimitrov deklaroi se vendimi për udhëtimin ishte marrë pasi Mihajllova e kishte kontaktuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore. Sipas tij, të dy kaluan përmes një pike zyrtare kufitare, ndërsa zyrtarët e RMV-së ishin në dijeni të identitetit të Mihajllovës.

NIKOLLAJ DIMITROV, AVOKAT

“Kaluam përmes një pike kufitare. I paraqitëm dokumentet dhe kaluam. Personat nga pala maqedonase ishin plotësisht të vetëdijshëm se bëhej fjalë për Iva Mihajlovën. Askush nuk na tha asgjë. Biseduam dhe u larguam”.

Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se kanë kryer kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar për Iva Mihajllovën dhe se nuk figuron asnjë dalje e saj nga Maqedonia e Veriut.

MPB

“Ministria e Punëve të Brendshme kreu kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar, me ç’rast u konstatua se për personin Iva Mihajlova, ndaj së cilës është në fuqi një ndalim aktiv gjyqësor, nuk figuron asnjë dalje e regjistruar nga territori i Maqedonisë së Veriut”.

Edhe nga ministria e punëve të jashtme e vendit kanë bërë të ditur se përmes Qendrës së Përbashkët të Kontaktit me Republikën e Bullgarisë, janë kryer verifikime edhe nga policia kufitare bullgare, nga e cila është marrë informacioni se për personin në fjalë nuk figuron asnjë hyrje e ligjshme e regjistruar në territorin e Republikës së Bullgarisë.

Përgjegjësi për rastin në fjalë kanë kërkuar edhe partitë politike të cilët kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente.

Në RMV ndaj Mihajllovës zhvillohet proces gjyqësor për një aksident të rëndë trafiku në tetor të vitit të kaluar, në të cilin humbi jetën një person, ndërsa disa të tjerë u lënduan, mes tyre edhe vetë Mihajllova. Gjykata kishte caktuar ndaj saj edhe masa kujdesi, përkatësisht marrjen e  dokumenteve të udhëtimit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING