(VIDEO) Inspektorati në aksion, kontrollohen 49 ordinanca private gjinekologjike
Pas një numri të madh ankesash nga pacientet, Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSh) dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) në muajin nëntor të këtij viti kanë realizuar kontrolle të përbashkëta në 49 ordinanca private gjinekologjike në mbarë vendin. Siç bëri të ditur drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski, një kontroll i tillë i përbashkët mes dy institucioneve nuk ishte kryer që nga viti 2012. Ai tha se qëllimi i kontrolleve, ka qenë verifikimi i respektimit të detyrimeve kontraktuale mes FSSh-së dhe gjinekologëve amë, sipas të cilave ekzaminimi EHO, kolposkopia, marrja e mostrave për analiza mikrobiologjike dhe citologjike për PAP-test, si dhe të gjitha procedurat e tjera diagnostike dhe terapeutike që bazohen në mjekësinë e bazuar në prova, te mjeku i zgjedhur, nuk duhet të tarifohen.
SASHO KLEKOVSKI-DREJTOR I FSSH-së
“Nga 49 institucionet e kontrolluara, tek 26 nuk janë konstatuar asnjë parregullsi, ose 53 për qind. Në total, parregullsi janë evidentuar në 23 ordinanca, prej të cilave tri institucione kanë pasur parregullsi vetëm ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSSh), 11 vetëm ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), ndërsa nëntë institucione kanë pasur parregullsi ndaj të dy institucioneve, Nga 12 institucionet ku janë konstatuar shkelje ndaj Fondit, parregullsia kryesore është arkëtimi i mjeteve shtesë nga personat e siguruar (në tetë institucione private shëndetësore), si dhe mbajtja e parregullt e evidencës (në pesë institucione private shëndetësore)’’.
Sipas tij, si Fondi ashtu edhe DAP-i kanë shqiptuar gjoba ose masa ndëshkuese për të gjitha parregullsitë e konstatuara. Gjithashtu Klekovski njoftoi se shkalla më e ulët e rregullsisë është në Strumicë, kurse shkallën më të lartë të rregullsisë e kanë institucionet në Manastir dhe Prilep. Ndërkaq, Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova, tha se në kuadër të kontrolleve të përbashkëta janë kryer inspektime tek 46 gjinekologë privatë.
ELENA PETROVA-DREJTORESHË E DAP
“Në 35 për qind, përkatësisht në 16 institucione, kemi konstatuar parregullsi në evidentimin të qarkullimit me para të gatshme dhe menjëherë janë shqiptuar sanksione për kundërvajtje. Dua të theksoj qartë se, edhe pse shërbimet shëndetësore janë të përjashtuara nga TVSH-ja, dhe shumica e këtyre institucioneve paguajnë një tatim simbolik vjetor mbi të ardhurat totale prej 1 për qind ose janë plotësisht të përjashtuara, kjo nuk do të thotë se mosregjistrimi i qarkullimit nuk ka efekt tatimor”.
Sipas saj, mos regjistrimi i të ardhurave krijon hapësirë për përdorimin e tyre si të ardhura personale të patatueshme, përfitimin e pasurisë personale nga të ardhura të patatueshme, si dhe për pagesa të blerjeve me para të gatshme, gjë që ushqen drejtpërdrejt ekonominë gri. /SHENJA/

