(VIDEO) Projektligji për procedurë penale dhe Kodin penal i dorëzohet KE-së
Ministria e drejtësisë ka njoftuar se i ka dorëzuar komisionit evropian projektligjin për procedurë penale dhe projekt-kodin penal për mendim. Ata bëjnë të ditur se këto ligje trajtojnë çështje që përbëjnë vetë themelin e drejtësisë penale, si përcaktohet përgjegjësia për një vepër penale të kryer, si zhvillohen hetimet, si sigurohen dhe administrohen provat dhe si mbrohen të drejtat e pjesëmarrësve në procedurë.
MINISTRIA E DREJTËSISË
“Përgatitja e tyre është pjesë e detyrimeve reformuese të ndërmarra në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në kuadër të Agjendës së Reformave, por edhe e nevojës për të tejkaluar mangësitë e konstatuara gjatë zbatimit të deritanishëm të legjislacionit penal”.
Nga atje sqarojnë se përgatitja e Kodit të ri Penal ka filluar në vitin 2019, kur u formua një grup ekspertësh për analizë gjithëpërfshirëse të kuadrit ekzistues juridiko-penal. Siç thonë ata propozim-Kodi Penal u publikua në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve në korrik të vitit 2022 dhe iu dorëzua institucioneve dhe organizatave përkatëse.
MINISTRIA E DREJTËSISË
“Gjatë konsultimeve u shqyrtuan më shumë se 50 mendime dhe propozime, ndërsa në tekst janë përfshirë 33 direktiva përkatëse, si dhe standardet dhe instrumentet më të fundit juridike të Bashkimit Evropian”.
Nga MD thonë se paralelisht, është punuar edhe për Ligjin e ri për Procedurën Penale dhe se nevoja për miratimin e tij lindi si pasojë e zhvillimit të së drejtës procedurale evropiane dhe ndërkombëtare, por edhe për shkak të mangësive praktike dhe atyre në aspektin e teknikës legjislative, të identifikuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues të vitit 2010. Më tej thuhet se, me dorëzimin e të dy projektligjeve në Komisionin Evropian, Ministria e Drejtësisë vazhdon përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Agjenda e Reformave dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me të drejtën evropiane.
Këto dy ligje konsiderohen jetike për progresin e Maqedonisë së Veriut në Klasterin 1 të Vlerave Themelore të negociatave me BE-në. Ndryshe Kodi i ri Penal vjen pas më shumë se 30 vitesh dhe synon harmonizimin e legjislacionit vendor me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

