(VIDEO) Maksuti: Borxhi është problem kur nuk përdoret për investime kapitale! Bytyqi: Premtimi i VLEN-it për Bankë Shqiptare nuk është në program

(VIDEO) Maksuti: Borxhi është problem kur nuk përdoret për investime kapitale! Bytyqi: Premtimi i VLEN-it për Bankë Shqiptare nuk është në program

“Borxhi publik ka arritur në 10.7 miliardë euro, përkatësisht rreth 60% të Bruto Prodhimit Vendor, problemi qëndron te mënyra se si shfrytëzohen paratë e huazuara”. Kështu thotë profesori universitar Ali Maksuti, duke theksuar se kur borxhi përdoret për mbulimin e shpenzimeve publike dhe kthimin e borxheve të mëparshme, në vend se për investime kapitale, ai bëhet barrë për shtetin. Mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja”, Ai theksoi se shuma absolute e borxhit publik është 10 miliardë e 970 milionë euro, duke akuzuar Qeverinë se gjatë mandatit e ka rritur atë për rreth 2.5 miliardë euro.

MARKETING

Shik.mk

Ali Maksuti, Profesor Universitar

“Borxhi publik ka shkuar në 10.7 miliardë euro, që dmth 60 % në raport me BPV. Borxhi publik në parim nuk është gjithmonë diçka negative për shtetin. Por, kur borxhi nuk orientohet në investime kapitale, por shkon dhe rritet duke u fokusuar në mbulesën e kostove publike dhe kthimin e borxheve të mëparshme, atëherë ky borxh bëhet problem për vendin”.

Ndërsa duke u ndalur tek një çështje tjetër që lidhet me premtimet politike, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, nga e njëjta studio deklaroi se premtimi i koalicionit VLEN për themelimin e një banke shqiptare nuk është përfshirë në programin qeveritar. Ai tha se ky ishte premtim parazgjedhor, i cili, sipas tij, nuk figuron në programin e Qeverisë. Ai përmendi edhe premtimin për 10 mijë euro për çdo qytetar, duke theksuar se as ky nuk është pjesë e programit.

Fatmir Bytyqi, Deputet i LSDM-së

“E para, që të sqarojmë për opinionin, premtimi është parazgjedhor. Ai premtim, si edhe shumë premtime të VLEN-it, asnjëherë nuk janë pjesë e programit qeveritar. Nëse e merrni programin dhe e shihni, aty nuk ekziston as banka shqiptare, as 10.000 euro për çdo qytetar, nuk ekzistojnë shumë gjëra të cilat i kanë dhënë gjatë procesit zgjedhor. Nëse pas 35 viteve bashkëqeverisje në këtë vend, nëse siç ka bankë Alta Bank, mendoj që mund të ketë pasë Alba Bank në vendin tonë  pa asnjë problem, pa probleme burokratike, sepse në këtë vend dikush e mohon apo se mohon jetojnë afër 29% shqiptarë”.

Ai vlerëson se rrjedhimisht duhet të ketë, nëse jo bankë shqiptare, bankë të udhëhequr nga shqipëtarë sepse siç thotë ai, sot në sistemin financiar shqiptarët akoma vazhdojnë të jenë të diskriminuar ose të jenë të pranuar vetëm si të nivelit të dytë, tretë apo të katërt. Ndërkaq ai ka ngritur dyshime edhe për mënyrën se si është lejuar hyrja e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime nga Qeveria dhe Banka Popullore. Bytyqi tha se LSDM-ja e ka ngritur këtë çështje prej rreth një viti e gjysmë, ndërsa shtoi se rasti duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve në Serbi dhe të ndikimit të mundshëm politik e financiar në Maqedoninë e Veriut.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING